Orkestra Simfonike e RTSH, magjia e Verdit dhe Puccinit në një natë gala
Mbrëmja gala “Verdi & Puccini” sjell në skenë madhështinë e operës italiane, duke bashkuar kryeveprat e Giuseppe Verdi dhe Giacomo Puccini në një koncert plot emocion dhe elegancë.
Nën drejtimin e maestro Gridi Kraja, Orkestra Simfonike e RTSH-së ngjit në skenën e Teatri Kombëtar të Operas dhe Baletit një mbrëmje të veçantë artistike. Në këtë gala operistike performojnë solistët Dorina Selimaj, Ivana Hoxha, Amadi Lagha dhe Bledar Domi, të cilët do të interpretojnë arie dhe pjesë të njohura që përcjellin pasionin, dramën dhe bukurinë e operës.
“Për mua është hera e parë që bëj një koncert me Orkestrën e RTS, u ndjeva shumë mirë, si në shtëpinë time. Kemi zgjedhur repertorin e kolosëve të muzikës klasike sepse janë ata që vërtetë të ngrenë zemrat edhe shpirtin peshë”, tha Selimaj.
“Jam shumë i nderuar të jem pjesë e kësaj nate, është hera e tretë që bashkëpunoj me Orkestrën e RTSH. Ftoj të gjithë njerëzit që të vijnë të shikojnë këtë natë magjike”, u shpreh Domi.
“Është gjithmonë një kënaqësi e veçantë të interpretoj me Orkestrën e RTSH. Është një nga orkestrat më të mira dhe unë kam një debulesë të veçantë sepse kam kënduar që në hapat e mi të parë me ta”, tha Hoxha.
Një udhëtim muzikor që premton të mbetet gjatë në kujtesën e publikut, në një mbrëmje ku arti dhe emocioni ndërthuren në mënyrë magjike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




