Vetmjekimi për sigurinë, Prof. Hoxha: Kujdes, shmangia e kontrollit destinon një astmë të rënduar
Futja e hershme në sezonin e alergjive shoqërohet me një shtim të dukshëm të blerjeve të qetësuesve në farmaci, çka tregon një tendencë në rritje për vetëdiagnostikim dhe vetë-mjekim.
Por çfarë ndodh me këta individë? Dr. Mehmet Hoxha, alergolog me eksperiencë të gjatë dhe qasje të avancuar në diagnostikimin dhe trajtimin e alergjive pranë QSUT-së, tregon rastin e pesë vajzave të reja që aktualisht janë të shtruara në pavion dhe erdhën në gjendje të rënduar astmatike.
“Së pari, nga një alergji e caktuar, kthehet në poli-sensibilizim, ku bëhet më kompleks menaxhimi afatgjatë i patologjisë. Së dyti, ato simptoma që fillimisht janë të hundëve dhe të syve, në dy apo tre vitet e para tentojnë të zbresin në rrugët e poshtme, pra të instalohet astma bronkiale. Aktualisht kemi pesë vajza të reja të shtruara në pavion pikërisht sepse njiheshin për polinozë, por erdhën në urgjencë pas komplikacioneve, në status astmatik.”
Sa më i shtyrë në kohë kontrolli ndaj simptomave, aq më e vështirë bëhet zgjedhja e terapisë. Rëndimi i gjendjes kërkon testet e alergjisë molekulare për të diferencuar shkakun fillestar nga ai sekondar, apo faktin e një reaksioni të kryqëzuar.
“Alergjia ushqimore gjithnjë e më shumë shfaqet tek këta pacientë, ajo që quhet sindromi frut-poleni, i cili fillon nga simptoma minimale deri në anafilaksi. Pra është një situatë më komplekse.”
Rreth 20% e popullatës është alergjike për shkak të predispozicionit gjenetik dhe më të prekurit janë të rinjtë.
Me shtimin e poleneve dhe ndotjes së ajrit, mjekët paralajmërojnë rritje të fluksit të vizitave dhe shtrimeve në spital.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




