Komisioni i Ekonomisë rrëzon pezullimin e taksës së karburanteve, miratohet Konventa e OECD-së për taksimin ndërkombëtar

Mbledhja e radhës e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, nën drejtimin e kryetares Milva Ekonomi, u fokusua në dy çështje kyçe: koston e jetesës për qytetarët përmes çmimit të karburanteve dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë në luftën kundër shmangies tatimore.
Opozita kërkon lehtësim fiskal, mazhoranca “jo” pa përllogaritje
Pika e parë e rendit të ditës ishte projektligji i propozuar nga katër deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, i cili synonte një ndryshim në ligjin “Për taksat kombëtare”. Nisma, e prezantuar nga deputetët Edmond Haxhinasto dhe Erisa Xhixho, kërkonte pezullimin e përkohshëm të taksës së qarkullimit dhe asaj të karbonit për benzinën dhe gazoilin deri në vitin 2028.
Haxhinasto argumentoi se kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të lehtësuar bizneset dhe qytetarët nga “goditjet” që vijnë prej zhvillimeve gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Nga ana e saj, Xhixho theksoi se aktualisht taksat zënë një pjesë dërrmuese të çmimit final, duke u shprehur:
“Nisma reflekton shqetësimet e qytetarëve për rritjen e vazhdueshme të çmimeve, jo vetëm të karburanteve, por edhe të produkteve të shportës bazë. Ndërhyrjet e deritanishme në akcizë janë të papërfillshme dhe nuk japin efekt real në uljen e çmimeve.”
Megjithatë, relatori i mazhorancës, Adi Qose, ndonëse pranoi se shqetësimi për çmimet është real, kundërshtoi nismën me arsyetimin se ajo nuk shoqërohej me përllogaritje të efekteve në buxhet. Sipas tij, heqja e këtyre taksave pa një plan zëvendësues do të dëmtonte qëndrueshmërinë e financave publike. Pas diskutimeve, komisioni vendosi ta rrëzojë projektligjin në parim.
Lufta ndaj shmangies tatimore
Në pjesën e dytë të mbledhjes, komisioni miratoi projektligjin për ratifikimin e Konventës Shumëpalëshe të OECD-së, një instrument ndërkombëtar i nënshkruar në Paris në shtator 2025. Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, prezantoi nismën duke e cilësuar atë si një akt që e pozicionon Shqipërinë si një aktor të përgjegjshëm në fushën e taksimit ndërkombëtar.
Ky mekanizëm synon implementimin e të ashtuquajturës “Shtylla e Dytë”, e cila vendos një nivel minimal tatimi për të ardhurat ndërkufitare, duke parandaluar kompanitë shumëkombëshe të shmangin detyrimet përmes juridiksioneve me taksa të ulëta.
“Konventa ofron një mekanizëm efikas për të ndryshuar njëkohësisht një sërë marrëveshjesh ekzistuese, duke shmangur proceset e gjata të rinegocimit bilateral,” sqaroi Yzeiraj para anëtarëve të komisionit.
Relatori Admir Kadeli vlerësoi se ky hap do të rrisë transparencën e sistemit tatimor shqiptar dhe do ta harmonizojë atë me standardet globale. Projektligji u miratua në tërësi nga komisioni dhe pritet t’i kalojë seancës plenare për votim përfundimtar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




