Vrasja e Liridona Ademajt, dënohen me burg përjetë Naim Murseli dhe Granit Plava

Gjykata Themelore e Prishtinës, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.
Me të njëjtin dënim maksimal është ndëshkuar edhe i akuzuari tjetër, Granit Plava.
Në këtë rast janë akuzuar gjithashtu edhe Kushtrim Kokalla, si pjesë e skemës së dyshuar për organizimin dhe kryerjen e vrasjes.
Sipas Prokurorisë, vrasja është kryer në mënyrë të planifikuar dhe në prani të fëmijëve të viktimës. Në fjalët përfundimtare, prokurorja Javorka Perlinqeviç kërkoi dënim maksimal për të gjithë të akuzuarit, duke theksuar se motivet lidhen me raportet bashkëshortore dhe përfitimin financiar.
Ajo deklaroi se provat kanë vërtetuar se Naim Murseli kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortes, ndërsa akti tragjik ndodhi në prani të dy fëmijëve të tyre, të moshës 4 dhe 6 vjeç në kohën e ngjarjes.
“Në këtë shqyrtim gjyqësor është vërtetuar që në muajin qershor 2022, familja Murseli ka paguar policën e sigurimit në emër të Liridona Murselit. Menjëherë më pas, Naimi ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që ta gjejë mënyrën që ta vrasë Liridonën, që do të thotë që me vetëdije është paguar polica e sigurimit jetësor për Liridonën”, deklaroi prokurorja.
Nga ana tjetër, mbrojtja e të akuzuarve ka kundërshtuar akuzat gjatë procesit gjyqësor.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




