Zogaj në “Trialog“: Protestat e opozitës po përdoren edhe në funksion të zgjedhjeve brenda PD-së
Për herë të parë, aktet e dhunshme në protestat e opozitës kanë marrë një përgjigje nga forcat e rendit, duke çuar pas hekurave individët e përfshirë në hedhjen e lëndëve plasëse. Kjo pikë kthese në dinamikën e tubimeve politike në kryeqytet ishte në qendër të diskutimeve në emisionin “Trialog” në RTSH.
Nën moderimin e gazetares Alba Alishani, paneli i përbërë nga analistët e njohur Preç Zogaj, Lorenc Vangjeli dhe Arion Sulo, zbërtheu skenarët e fundit të opozitës, motivet e fshehura politike dhe reagimin e institucioneve ligjzbatuese.
Përballja me ligjin dhe “rutina” e protestave
Fokusi i analizës u ndal te arrestimet e fundit, një lëvizje që shënon një ndryshim në qasjen e policisë ndaj atyre që përdorin mjete të rrezikshme në tubime. Sipas analistit Preç Zogaj, përtej aksionit policor, vetë protestat po vuajnë nga një mungesë e theksuar e një objektivi realist dhe frymëzimi popullor.
“Protestat e opozitës tashmë janë rutinë në përsëritjen e tyre me të njëjtin skenar, të njëjtën pjesëmarrje, të njëjtën kërkesë të deklamuar për largimin e kryeministrit Rama. Po të derdhej populli shesheve pasi të ketë perceptuar se është shumicë që i është mohuar fitorja në zgjedhje objektivi do të ishte i arritshëm. Por njerëzit e dinë që PD-ja i ka humbur zgjedhjet, ndaj protestat mbesin në kuadrin e një organizmi të ngushtë partiak”, tha Zogaj.
“Radikalizimi si mjet për politikën e brendshme të PD-së”
Përtej retorikës që përdoret, Zogaj evidentoi dy qëllime te tjera, siç i quajti ai, prapa radikalizimit me molotovë: E para, për të krijuar lajm ndërkombëtar me zjarr dhe flakë. “Zjarri dhe flakët përbejnë lajm, por kur sensacioni përsëritet shumë herë nuk është më sensacion”, tha Zogaj. E dyta ka lidhje me zgjedhjet për kryetarin e PD-së. Aksioni i rrugës, argumenton ai, po përdoret nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, si një mekanizëm për të konsoliduar pushtetin dhe për të shmangur garën reale për kryetarin. “Berisha shkon drejt zgjedhjeve brenda PD-së si udhëheqës i protestave. Gara nga “fronti” i sfumon debatet për zgjedhjet e kryetarit. Ne këtë atmosferë kandidatët rivalë duken te tepërt. Madje nuk po lejohen”.
“Mjetet e paligjshme janë të dënueshme”
Në lidhje me përdorimin e molotovëve, Zogaj vuri në dukje qëndrimin e përsëritur të ndërkombëtarëve, të cilët duke i njohur protestat si një e drejtë e ligjshme, kanë theksuar vazhdimisht se dhuna nuk ka vend në demokraci. Hedhja e molotovëve, sipas Zogajt, është në kufijtë e mosbindjes civile. “Dallimi mes protestave dhe mosbindjes civile” , tha ai, “është se ne këtë të dytën protestuesit përdorin me vetëdije mjete të paligjshme, duke marrë parasysh me vetëdije veprimin e ligjit. Policia, nëse nuk merr masa ndaj akteve të paligjshme, mohon vetveten. E reja në protestën e fundit është kapja e provave, pra e molotovëve, dhe vendimi i gjykatës. Më vjen keq për adoleshentët, por organizatorët që i armatosin me molotovë dhe i hedhin në aksion duhet të jenë të qartë me ta që në fillim për pasojat”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




