Parku Arkeologjik i Orikumit shpallet pasuri kulturore e paluajtshme, miratohet zonifikimi i ri

Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, ka bërë me dije vendimin e Këshillit të Ministrave për shpalljen e Parkut Arkeologjik të Orikumit si pasuri kulturore e paluajtshme, duke forcuar kuadrin ligjor dhe institucional për administrimin e tij.
Sipas vendimit, ky park konsiderohet një nga sitet më të rëndësishme arkeologjike në vend dhe do të administrohet si një njësi e pavarur menaxhimi, me qëllim ruajtjen, studimin dhe promovimin më të specializuar të trashëgimisë kulturore.
Me një postim në rrjetin social Facebook, Gonxhja bën me dije se një nga pikat kryesore të vendimit është miratimi i zonifikimit të parkut në dy zona: Zona A dhe Zona B, ndërsa shpjegon më tej dhe përcaktimet për secilën prej këtyre zonave.
“Në thelb të këtij projektvendimi qëndron miratimi i zonifikimit të parkut në dy zona kryesore, Zona A dhe Zona B, të cilat përcaktojnë nivele të ndryshme mbrojtjeje dhe ndërhyrjeje. Zona A përfshin bërthamën e qytetit antik dhe gëzon nivelin më të lartë të mbrojtjes, ku lejohen vetëm ndërhyrje konservuese, restauruese dhe kërkime shkencore. Ndërkohë, Zona B përfshin hapësirat përreth me potencial arkeologjik, ku ndërhyrjet zhvillimore mund të realizohen vetëm në mënyrë të kontrolluar dhe pas vlerësimeve përkatëse. Ky zonifikim krijon një ekuilibër të qëndrueshëm të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore”, shkruan Gonxhja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




