Integrimi, Balla i drejtohet PD-së: Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet. Hiqni dorë nga balta, momenti të punojmë bashkë

Politikë | 6 muaj më parë

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i është përgjigjur akuzave të opozitës se procesi i integrimit të vendit në BE ka ngecur. Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet që lidhen me procesin e integrimit europian. Sipas tij, ky është një fakt i konfirmuar nga Komisioni Europian, Parlamenti Europian dhe Këshilli Europian.

“Në Kuvend ka mbërritur raporti vjetor i qeverisë lidhur me ecurinë e procesit ët anëtarësimit në BE, bashkuar këtu edhe raporti i 3 muajve të parë të 2026. Mallkimet e atyre që çdo ditë mundohen të thonë që negociatat kanë ngecur, është fakt nga Komisioni Europian, Parlamenti Europian dhe Këshilli Europian që Shqipëria sot ka përmbushur të gjitha detyrimet që vijnë nga procesi i anëtarësimit në BE. Të gjitha piketat e ndërmjetme janë përmbushur. Ka një procedurë e cila nga Komisioni kalon te Këshilli dhe më pas te vendet anëtare”, tha ai.

Ai bëri thirrje që të ndalohet “balta” ndaj procesit të negociatave, duke theksuar se Shqipëria nuk duhet parë si vend armik, por si një demokraci ku opozita ka rol të rëndësishëm.

“Hiqni dorë nga gjithë kjo baltë që hidhni kundër Shqipërisë, nuk e keni Shqipërinë vend armik, por jeni pjesë e pazëvendësueshme e demokracisë së vendit. Është momenti i duhur historik që të punojmë sëbashku për ta çuar këtë aspiratë historike të shqiptarëve. Nuk ju bën nder të shani nga mëngjesi në darkë Shqipërinë. Kemi gatishmërinë të punojmë me ju për gjithçka, por edhe ju duhet ët merrni përgjegjësitë që ju takojnë”, deklaroi Balla.

/rtsh.a/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme