Dita Botërore e Librit- Kuvendi promovon botimin ‘Komisionet e parlamentit shqiptar nga 1920 deri në 2025

Aktualitet | 6 muaj më parë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, Kuvendi i Shqipërisë organizoi promovimin e botimit “Komisionet e parlamentit shqiptar ndër vite (1920–2025)”, një vepër e realizuar nga Shërbimi i Bibliotekës dhe Botimeve Parlamentare.

Aktiviteti mblodhi personalitete të botës akademike, deputetë, studentë dhe përfaqësues të institucioneve, duke e kthyer ngjarjen në një moment të rëndësishëm për kulturën parlamentare dhe historinë institucionale të vendit.

Në fjalën e saj përshëndetëse, deputetja Greta Bardeli theksoi rolin e librit në formimin akademik të të rinjve dhe rëndësinë e botimeve parlamentare si dokumente institucionale që pasqyrojnë vendimmarrjen dhe kulturën demokratike.

“Botimet parlamentare janë ura lidhëse mes institucioneve dhe publikut, duke mbetur një burim i rëndësishëm për studiuesit, juristët, akademikët dhe studentët,” u shpreh Bardeli.

Ky botim vjen si një plotësim i veprës “Ligjvënësit shqiptarë dhe firmëtarët e Aktit të Pavarësisë (1912–2021)”, duke sjellë një panoramë të plotë të veprimtarisë së komisioneve parlamentare nga viti 1920 deri në vitin 2025.

Prof. dr. Teki Kurti, recensues i librit, e cilësoi veprën si një dokument të rëndësishëm historik. “Ky botim institucional ka një rëndësi të veçantë, pasi dokumenton zhvillimin kronologjik të komisioneve parlamentare nga viti 1920 deri në vitin 2025, duke paraqitur anëtarësinë dhe ndryshimet e tyre në çdo legjislaturë,” tha Kurti.

Ndërsa prof. dr. Artur Ribaj u ndal në rolin e botimeve parlamentare në rritjen e transparencës dhe besimit tek investitorët vendas e të huaj. “Përmes publikimeve analitike dhe studimeve krahasuese, parlamenti kontribuon në rritjen e cilësisë së qeverisjes dhe krijimin e një mjedisi më tërheqës për investime,” u shpreh Ribaj.

Drejtore e Shërbimit të Botimeve dhe Bibliotekës Parlamentare, znj. Lidra Bushati, theksoi se ky botim synon të dokumentojë kronologjinë e ecurisë së komisioneve parlamentare, përbërjen e tyre, legjislaturat dhe grupimet politike, duke ofruar një informacion të plotë për veprimtarinë e parlamentit shqiptar në faza të ndryshme të historisë.

Ky botim është një burim me vlerë historike dhe dokumentare për studentët dhe studiuesit, të cilët mund ta përdorin si referencë për studime në fushën e drejtësisë, historisë dhe shkencave politike. Ai është gjithashtu një shtesë e rëndësishme në fondin e Bibliotekës së Kuvendit të Shqipërisë, duke pasuruar arkivën institucionale dhe duke forcuar kulturën legjislative të vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme