Përjashtimi i deputetit Boçi, PD dhe PL braktisin seancën plenare

Politikë | 6 muaj më parë

Seanca plenare e Kuvendit u shoqërua me tensione të forta, pasi deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, u përjashtua pas përplasjejes me Kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi.

Ngjarja ndodhi pas prezantimit të projektligjit për Agjencinë e Arsimit nga ministrja Mirela Kumbaro, kur Boçi kërkoi fjalën për replikë pa dhënë shpjegim dhe më pas u ngrit për të bllokuar foltoren.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, sqaroi se deputeti nuk ishte përmendur në diskutim dhe, sipas rregullores, nuk kishte të drejtë replike.

“Nuk merret fjala kështu. Fjala jepet sipas rregullores”, u shpreh Peleshi, duke i kërkuar deputetit të lirojë foltoren.

“Lironi foltoren! Po shkelni rregulloren! U ngritët herën e dytë dhe thjesht thatë dua të flas, pa e specifikuar. Merrni masën e dytë disiplinore, vërejtje.”

Pavarësisht vërejtjes, Boçi u rikthye në foltore, çka solli ndërhyrjen e drejtuesit të seancës dhe vendimin për përjashtimin e tij.

Seanca u ndërpre për disa minuta, ndërsa me rifillimin e saj, deputeti demokrat Belind Këlliçi deklaroi se “Në solidaritet me deputetin Boçi, opozita do të largohet nga kjo sallë. Nuk mund të ketë seancë normale kur ka shkelje të rregullores së Kuvendit. Përjashtimi i z. Boçi është shkelje e rregullores.”

Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, mohoi akuzat e opozitës duke sqaruar se “Fjala u kërkua pa shkak dhe fjalori i përdorur nga z. Boçi çoi në marrjen e tre masave ndëshkimore e mandej përjashtimit të tij. Jam duke respektuar rregulloren në çdo pikë dhe rigorozitet. S’kam asnjë arsye personale për të përjashtuar Boçin, e kam mik prej 25 vitesh.”

Megjithatë, opozita nuk u bind nga sqarimet dhe u largua nga salla, ndërsa punimet e Kuvendit vijuan normalisht.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme