Kryeministri holandez Jetten bisedë telefonike me Ramën për integrimin në BE dhe investimet

Politikë | 6 muaj më parë

Kryeministri i Holandës, Rob Jetten, ka zhvilluar komunikimin e tij të parë zyrtar telefonik me homologun shqiptar, Edi Rama. Kjo bisedë e nivelit të lartë ka shërbyer për të theksuar rolin thelbësor të Tiranës në stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

Përmes një deklarate të bërë publike në rrjetin social “X”, Kryeministri Jetten e ka cilësuar Shqipërinë si një “partner strategjik kyç” jo vetëm për interesat e Holandës, por për të gjithë Bashkimin Evropian.

Zgjerim i partneritetit, turizëm dhe infrastrukturë

Biseda mes dy liderëve është ndalur te marrëdhëniet e konsoliduara dypalëshe, duke vënë në dukje se bashkëpunimi i deritanishëm ka krijuar një bazë të fortë për projekte të reja.

“Lidhjet tona ekonomike dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë janë tashmë të forta. Diskutuam për mundësitë për zgjerimin e mëtejshëm të partneritetit tonë, p.sh. në infrastrukturë dhe turizëm,” shkruan Jetten, duke sinjalizuar një interes të shtuar për rritjen e investimeve të huaja direkte nga Holanda në Shqipëri.

Vlerësim për rrugëtimin evropian

Një pjesë qendrore e telefonatës i është kushtuar agjendës evropiane të Shqipërisë. Jetten ka vlerësuar ritmin e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për t’u përafruar me standardet e kërkuara nga Brukseli.

“Folëm gjithashtu se si Shqipëria po ndërmerr hapa të rëndësishëm për të përmbushur kriteret për procesin e pranimit në BE. Pres me padurim të takohem me Kryeministrin Rama në samitin BE-Ballkani Perëndimor në qershor.” nënvizoi ai në postimin e tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme