Bonusi i qirasë për banorët e pallatit të djegur, Dango: Më 27 prill dorëzohen dokumentet, dëmshpërblim edhe për orenditë shtëpiake
Ndihma financiare që do të përfitojnë banorët e pallatit të përfshirë nga flakët disa javë më parë pranë QSUT-së, do të jetë 40 mijë lekë. Drejtori i Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve për Qytetarin në Bashkinë e Tiranës, Dritan Dango, i ftuar në “Mirëmëngjes Shqipëri”, bëri me dije se kjo vlerë u vendos në bazë të çmimit të referencës sipas zonës.
Ai sqaroi se drafti i miratuar një ditë më parë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe që u firmos më pas nga prefekti Shkëlqim Hajdari, do të kalojë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Ai theksoi se banorët e prekur do të duhet të paraqiten ditën e hënë (27 prill) në Njësinë Administrative Nr. 4 për të dorëzuar dokumentacionin përkatës, i cili përfshin certifikatën e pronësisë dhe numrin e llogarisë bankare, në mënyrë që Bashkia të bëjë derdhjen e ndihmës financiare në llogaritë e qytetarëve.
“Situata ishte shumë e ndjeshme dhe prekeshin shumë banorë, ndaj u mendua që të ofrohej një ndihmë financiare. Duke parë që bonusi i qirasë është një program tjetër, u vendos të jepej si ndihmë financiare për strehim vlera prej 40 mijë lekësh. Shuma u caktua bazuar në vlerësimin e INSTAT-it për çmimin e referencës në atë zonë. Çmimi mesatar aty shkon në 40 mijë lekë. Drafti u propozua dhe u miratua unanimisht nga Këshilli Bashkiak. Dje ai u firmos nga prefekti dhe sot kalon në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Të hënën banorët do të paraqiten për të dorëzuar dokumentet dhe më pas Bashkia do të bëjë derdhjen në llogaritë bankare të qytetarëve. Është ngarkuar Njësia Administrative Nr. 4, ku banorët do të paraqiten me certifikatën e pronësisë dhe numrin e llogarisë bankare”, deklaroi ai.
Dango theksoi se shumë shpejt kompania e ndërtimit do të nisë punën për riparimin e fasadës së objektit dhe të shtëpive, të cilat u prekën nga zjarri.
Ai sqaroi më tej se, pas lëvrimit të ndihmës financiare për banorët nga Bashkia e Tiranës, kjo e fundit do të vijojë me hapin e dytë, që është dëmshpërblimi për orenditë shtëpiake dhe elektroshtëpiake.
“Sipas deklarimeve që janë bërë, leja në AZHT ka dalë dhe shumë shpejt kompania do të fillojë riparimin e fasadës dhe të shtëpive. Bashkia e Tiranës, pas ndihmës financiare për strehim, ka dhe hapin e dytë: dëmshpërblimin për orenditë shtëpiake dhe elektroshtëpiake. Në Bashkinë e Tiranës zbatohet një VKM, përmes së cilës çdo muaj dëmshpërblejmë familje që kanë pasur fatkeqësi natyrore, por ato janë raste individuale. Në këtë rast, ndjeshmëria dhe numri i banorëve të prekur ishte i madh”, sqaroi Dango.
Pallati u përfshi nga flakët pasditen e 14 prillit, ndërsa aksioni gjithëpërfshirës i Zjarrfikësve, Emergjencave Civile, Policisë dhe Forcave RENEA bëri të mundur që të mos kishte asnjë jetë të humbur.
Vatra e zjarrit dyshohet se nisi në katin e parë të objektit dhe u përhap më pas për shkak të materialit të fasadës së pallatit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




