Zhvillimi urban në Korçë, qeveria miraton shpronësimet për rrugët “Xhejms Belushi” dhe “Dhori Koti”

Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundmi vendimin për shpronësimin për interes publik të pronave private që preken nga projekti i rëndësishëm i infrastrukturës urbane në qytetin e Korçës. Projekti, i cili parashikon sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve “Xhejms Belushi”, “Dhori Koti” dhe rrugëve lidhëse, synon të përmirësojë ndjeshëm lëvizshmërinë dhe standardet e jetesës në këto lagje.
Sipas vendimit zyrtar, shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Korçë, e cila do të jetë përgjegjëse për financimin e plotë të procesit. Fondi i përgjithshëm i vënë në dispozicion për kompensimin e pronarëve për pasuritë e llojit “arë” kap vlerën prej 782,700 lekësh, ndërsa shpenzimet procedurale llogariten në masën 70,000 lekë.
Afatet dhe procedurat e dëmshpërblimit
Referuar rregullave të përcaktuara, procesi i shpronësimit fillon menjëherë pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe pritet të përfundojë brenda një afati prej 3 muajsh.
“Pronarët do të kompensohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e nevojshëm justifikues pranë Bashkisë Korçë”, citohet në tekstin e vendimit.
Në zbatim të këtij projekti, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) Korçë ka marrë detyrën që brenda 30 ditëve të pezullojë transaksionet dhe të nisë regjistrimin e gjurmës së projektit në hartat kadastrale, duke kaluar pronësinë në favor të bashkisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



