Transformimi i tregut të punës, të largohemi nga modeli i krahut të lirë të punës
Transformimi i tregut të punës 2021–2025 ka prodhuar fitime fiskale reale dhe historike. Tatimi mbi të ardhurat personale u dyfishua, baza tatimore u zgjerua strukturalisht, dhe formalizimi klasik u reduktua. Eksperti i ekonomisë Ergis Sefa sheh disa aspekte të treguesve.
“Nga njëra anë luftës formalitetit, aksioneve që janë bërë herë mbas here dhe nga ana tjetër faktit që është ulur goxha forca punëtore dhe si pasojë shumë biznese po tentojnë t’i mbajnë sa më gjatë duke i joshur edhe me paga më të larta”, tha eksperti.
Efektet e veprimit janë shtrirë në rritjen e tatimit nga të ardhurat personale me +110%. Tatimi mbi pagat u rrit nga 25.3 mld. në 49.4 mld. lekë, duke kontribuar rreth 37% të rritjes totale të të ardhurave buxhetore vetëm në 2025. Sipas Sefos është koha që të ndërhyhet me reformë strukturore.
“Rritja graduale që ka ardhur sidomos e pjesëve të ulës të pagave ka ndikuar pozitivisht edhe në fondin e pensioneve. Por nga ana tjetër kemi arritur një tavan, nëse mund ta quajmë të këtillë, të rritjes së vetë graduale të pagave pa një ndërhyrje strukturore”, tha ai.
Ndër rrugët vepruese në këtë moment janë si politikat fiskale ashtu edhe inovacioni.
“Tani ka ardhur momenti që duhet të mendohet seriozisht për produktivitetin e punës dhe të ekonomisë në përgjithësi se vetëm në atë formë mund të rriten pagat në mënyrë të qenësishme. Ne propozojmë që të ketë një kombinim ndërmjet masave fiskale që qeveria duhet t’i marri në favor të individit për t’i lehtësuar sadopak pagamarrësit jo vetëm bazën fiskale që ka, por edhe mundësinë për të rrit për përdorimin e fondeve që ka të disponueshme dhe nga ana tjetër dhe një shtytje dhe politika sa më efektive strukturore kundrejt inovacionit dhe bizneseve të atyre sektorëve të cilët vërtetë ofrojnë paga më të larta”, tha ai.
Pamja e modelit të propozuar nga ekspertët i përgjigjet pikërisht këtij momenti.
“Largohemi nga modeli ekonomik ku ne bazohemi krahu lirë i punës që ka qenë modeli shqiptar i këtyre 20-30 viteve të fundit dhe duhet të shkojmë drejt një modeli ekonomik ku konkurrojmë në një dy apo mbase dhe tre sektorë prodhues inovativ”, u shpreh eksperti.
Gazetare: Entela Komnino.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




