Kreu i SPAK: Retorika politike nuk është kërcënim, por mund të nxisë agresivitet ndaj institucionit
Kreu i SPAK, Klodian Braho, prezantoi sot (27 prill) raportin vjetor për vitin 2025 përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), ku iu përgjigj edhe pyetjeve mbi presionet e mundshme politike ndaj institucionit.
Braho u shpreh se retorika politike, në vetvete, nuk përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për SPAK. Megjithatë, kreu i SPAK paralajmëroi se klima e krijuar nga deklarata të tilla mund të ketë pasoja indirekte.
Sipas tij, retorika politike mund të nxisë agresivitet ndaj institucionit nga ana e krimit të organizuar, duke krijuar perceptimin se SPAK është i pambrojtur.
“Retorika politike nuk përbën në vetvete një kërcënim është thjeshtë retorike politike. Është shqetësuese nëse kjo retorikë do të shënohej me një situatë të ndryshimeve ligjore që mund të cenojmë kompetencat apo pavarësinë e institucionit. Nuk ka një situatë të tillë për momentin. Retorika, edhe pse nuk është problematike në mënyrë direkte, por zgjojnë dhe mund të shërbejë si shkak për të rritur agresivitetin ndaj SPAK nga krimi i organizuar sepse krijon perceptimin që ky institucion është i pambrojtur”, u shpreh ai.
Braho theksoi se, në rast se do të paraqiten nisma ligjore që cenojnë pavarësinë e institucionit, SPAK do të reagojë publikisht dhe do t’i adresojë shqetësimet pranë KLP-së.
“Nëse do hasemi me drafte apo projekte ligjore, patjetër që do ta bëjmë publik zërin tonë dhe shqetësimet do ja përcjellim edhe KLP”, deklaroi kreu i SPAK.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



