Takimi Hoxha–Mexhiti: Theksi te bashkimi dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me kryetarin e komunës së Çairit dhe liderin e Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ku në fokus kanë qenë çështjet që lidhen me pozitën dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedonia e Veriut.
Në një postim në rrjetin social X, Hoxha e cilësoi takimin si përmbajtësor, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit. Ai nënvizoi se të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj, por kërkojnë mbrojtje dhe zbatim të plotë.
Hoxha u shpreh se ruajtja e arritjeve, si përdorimi dhe zhvillimi i gjuhës shqipe dhe përfaqësimi i drejtë, mbetet thelbësore për forcimin e demokracisë dhe karakterit multietnik të vendit. Sipas tij, përgjegjësia bie mbi faktorët politikë nëse këto arritje nuk ruhen dhe avancohen më tej.
Nga ana e tij, Mexhiti ka garantuar angazhimin e tij, të partisë dhe të koalicionit VLEN për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, duke siguruar barazi dhe përfaqësim të drejtë në të gjitha sferat e jetës publike.
Në përfundim, Hoxha bëri thirrje për më shumë dialog dhe më pak retorikë, duke theksuar se vetëm përmes bashkëpunimit mund të forcohen marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut dhe të avancojë rrugëtimi i përbashkët drejt integrimit evropian.
“Askush nuk na ndan, asgjë nuk na përçan, sepse ajo që kemi të përbashkët vetëm na bashkon.
Një takim i mirë, i parë por përmbajtësor sot me Izet Mexhitin, Kryetarin e komunës se #Çairit, Kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe bashkë lider i #VLEN, për të diskutuar mbi një mori çështjesh me interes të ndërsjelltë.
Pozita dhe të drejtat e shqiptarëve në #Maqedoninë e Veriut janë të garantuara me #Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Këto të drejta duhet të mbrohen dhe të ushtrohen plotësisht në këtë frymë, në të mirë të të gjithë qytetarëve të cilëve u përkasin, por edhe si një investim i sinqertë për forcimin e demokracisë, institucioneve demokratike, karakterit multietnik të vendit dhe të ardhmes sonë të përbashkët evropiane.
E kam thënë dhe dua ta përsëris: nëse nuk do të jemi në gjendje të ruajmë të arriturat e fituara me aq mund sic janë përdorimi, zhvillimi dhe trashëgimi i gjuhës shqipe si dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, nëse kujdesemi për të mirën e përbashkët, nëse nuk bashkohemi për gjithçka që shkon përtej dhe qëndron më lart se çdo individ, çdo grupim politik apo dallim ideologjik, atëherë përgjegjësia do të jetë vetëm e jona.
Mora sigurinë nga z. Mexhiti se ai, partia e tij dhe koalicioni i VLEN janë dhe mbeten të angazhuar për të mbrojtur dhe zhvilluar më tej të drejtat dhe pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar #barazi, përfaqësim të drejtë dhe avancim të vazhdueshëm në të gjitha sferat e jetës publike.
Prandaj duhet të jemi në gjendje dhe të aftë të dialogojmë, së pari me njëri-tjetrin, të bashkohemi rreth asaj që kemi të përbashkët, sepse ajo na mban dhe na forcon më shumë se çdo gjë tjetër.
Na duhen më pak fjalë e më shumë punë.
Sepse në këtë mënyrë zhvillohemi e përparojmë, dhe njëkohësisht ndërtojmë edhe një marrëdhënie më të fortë, më bashkëpunuese dhe më miqësore me Maqedoninë e Veriut, vend fqinjë, vend aleat, partner i ngushtë dhe bashkëudhëtar në rrugëtimin tonë”, shkruan Hoxha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




