Cardinale aprovon kërkesat e Allegri-t për Milanin e ri, Gila objektivi i parë i Tares

Trajneri dëshiron një lojtar ekspert për çdo repart, që të përballojë Championsin sezonin e ardhshëm. Për mbrojtësin e Lacios ofertë 20-25 milionë euro.
Milani tenton të riniset nga Mario Gila. Mbrojtësi spanjoll i Lacios është objektivi i parë i Igli Tares në merkaton e verës. Investimi për blerjen e këtij lojtari është aprovuar edhe nga pronari Gerry Cardinale gjatë një vizite ditët e fundit në Milano.
Cardinale ka dhënë “ok”-in për një merkato, që do të kënaqte trajnerin Allegri, sipas “La Gazzetta dello Sport”. Ai kërkon një afrim me peshë për çdo repart. Gila, 25 vjeç, ka moshën ideale për rinovimin e mbrojtjes dhe njëkohësisht ka mjaft eksperiencë në kampionatin italian dhe në arenën ndërkombëtare.
Trajneri Allegri e vlerëson profilin e spanjollit, ashtu si drejtori sportiv Tare, i cili e transferoi në Itali nga Real Madrid kur ishte te Lacio në 2022-shin. Emër tjetër për mbrojtjen është Kim i Bajernit, por ai ka një pagë shumë të lartë.
Ndryshe është situata e Gila, kontrata e të cilit skadon në 2027-ën. Milani ka gati një ofertë 20-25 milionë euro, bashkë me bonuset. Tani mbetet të shihet se çfarë rezistence do të bëjë Lotito, që nuk i lëshon lehtë lojtarët e tij. Mbrojtësi përfiton 1.1 milionë euro në sezon te Lacio.
Një tjetër emër në listën e Tares është ai i Thomas Kristensen të Udinese.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




