Sulo: Përballje përfundimtare e drejtësisë dhe korrupsionit, duhet kujdes

Aktualitet | 6 muaj më parë

Analisti Arion Sulo ka deklaruar në studion e emisionit “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 se në përballjen përfundimtare të drejtësisë dhe korrupsionit duhet bërë shumë kujdes.

Duke iu referuar procesit ndaj Ilir Metës, Sulo tha se nëse kjo “përballje bëhet me mangësi, ajo i komprometon të gjitha”.

“Por nuk është vetëm kafazi i xhamit. Është edhe rrëzimi i kërkesës së mbrojtjes së të akuzuarve për transmetimin e seancave live.

Është edhe ankesa e zotit Ndreca për moszbardhjen dhe moshapjen e të gjitha provave. Ai thotë se, nëse vërtetohet, është e drejtë, por ne s’i kemi parë. Zoti Ndreca thotë që shumë prova të gjyqit paraprak nuk i ka hapur fare, nuk i ka marrë.

Pra provat nuk janë dorëzuar te i pandehuri. Siç thanë edhe kolegët dhe siç e saktësoi me të drejtë zoti Zogaj, për hetimin po, por ne tani kemi një përballje gati-gati përfundimtare ose shumë të rëndësishme të drejtësisë në këtë vend – drejtësisë me të paprekshmit e djeshëm dhe me korrupsionin që na ka mbërthyer prej kaq kohësh pa u ndëshkuar.

Nëse kjo përballje bëhet me mangësi, ajo i komprometon të gjitha. Prandaj duhet pasur shumë kujdes”, u shpreh Sulo.  

Sipas Sulos, në këto procese mund të ketë zëra radikalë që e helmojnë situatën duke mos shkuar te e vërteta.

“Këtu kam pak shpresë nga reagimi i shoqërisë këto dy ditë. Dikush reagoi për interes, dikush për anën njerëzore, dikush për drejtësi, dikush për parime. Por ky reagim bën mirë që të vazhdojë dhe të dëgjohet.

Ne që themi se janë shkelur këto parime, nuk po i heqim asgjë hetimit. Ne kërkojmë standarde dhe po vëmë në dyshim nëse hetimi është paracaktuar. Mund të ketë zëra radikalë që e helmojnë situatën edhe më keq, dhe pastaj nuk dalin e vërteta”, tha Sulo.

Ai vuri në dukje se reforma në drejtësi u krijua për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe jo që të mos hetohen apo të hetohen keq.

“Reformat e drejtësisë u nisën pikërisht që të krijohet një precedent dhe të mbarojë kjo pandëshkueshmëri, që hetimi të normalizohet. Siç thotë zoti Zogaj me të drejtë: të normalizohet hetimi. Jo që të mos hetohen fare, por as të hetohen keq.

Është në interes të publikut që të ketë hetim dhe dënim për ata që janë të dyshuar, kur ka prova ligjore. Por vetëm nëse procesi është i drejtë, i barabartë dhe me standarde.

Një pjesë mund të brohorasë për dënimin e këtij apo atij, dikush nga e majta, dikush nga e djathta, siç ndodh zakonisht në llogoret politike. 35 vjet ky vend është vjedhur, por në drejtësi nuk mjafton fjala “është vjedhur”, nënvizoi më tej Arion Sulo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme