Trump urdhëron zgjatjen e bllokadës detare ndaj Iranit

Botë | 6 muaj më parë

Presidenti amerikan Donald Trump u ka dhënë udhëzime ndihmësve të tij që të përgatiten për një bllokadë të zgjatur detare ndaj Iranit, duke sinjalizuar se strategjia e Shteteve të Bashkuara do të fokusohet në shtrëngimin e ekonomisë dhe kufizimin e eksporteve të naftës iraniane, në vend të rifillimit të bombardimeve.

Sipas zyrtarëve të cituar nga Wall Street Journal, Trump beson se një rikthim në konflikt të hapur ose një tërheqje nga rajoni do të mbarte më shumë rrezik sesa ruajtja e bllokadës së porteve iraniane.

Të mërkurën në mbrëmje, gjatë një darke shtetërore, presidenti deklaroi se kishte mbështetjen e Mbretit Charles për misionin e tij për të ndaluar Iranin të pajiset me armë bërthamore.

 “Ne e kemi mposhtur ushtarakisht atë kundërshtar të veçantë,” tha Trump, duke shtuar: “Charles pajtohet me mua edhe më shumë sesa unë – ne kurrë nuk do ta lejojmë atë kundërshtar të ketë një armë bërthamore.”

Trump ka sinjalizuar gjithashtu se ka gjasa të refuzojë propozimin e fundit të Iranit për t’i dhënë fund luftës, i cili do të përfshinte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe shtyrjen e bisedimeve mbi programin bërthamor të Teheranit.

Marrëveshja e propozuar nuk përfshinte dorëzimin e rezervave të uraniumit të pasuruar, një kërkesë kyçe e SHBA-së.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme