Videot e 2 grave në Tiranë për kryerjen e veprimeve të dyshimta me të miturit, Kumbaro: Siguri 100% në shkolla, bashkëpunim i ngushtë me Policinë e Shtetit
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka garantuar siguri të plotë në shkollat e vendit pas lajmeve për shfaqjen e dy grave të mbuluara pranë një automjeti, të cilat dyshohet se kanë komunikuar në mënyrë të dyshimtë me të mitur.
Në një deklaratë pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Kumbaro theksoi se masat e sigurisë janë në nivel maksimal, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit. Sipas saj, në pjesën më të madhe të shkollave, patrullat e policisë janë të pranishme çdo mëngjes dhe pasdite, në oraret kur nxënësit hyjnë dhe dalin nga ambientet shkollore.
“Masat e sigurisë në shkolla në garantim 100% të sigurisë së fëmijëve dhe institucioneve arsimore. Jemi në bashkëpunim 100% me Policinë e Shtetit dhe në pjesën më të madhe të shkollave, patrullat e policisë cdo mëngjes dhe drekë kur hyjnë dhe dalin fëmijët nga shkolla.
Është bërthamë e tërë që drejtohet nga drejtori i shkollës përkatëse në bashkëpunim me koordinatorët e karrierës, me psikologë, oficerë policie dhe me njësinë e mbrojtjes së fëmijëve që ndodhet pranë çdo bashkie për ta kapur në kohë çdo sinjalizim”, tha Kumbaro.
Ajo bëri të ditur se funksionon një strukturë e dedikuar në çdo institucion arsimor, e drejtuar nga drejtori i shkollës, në bashkëpunim me koordinatorët e karrierës, psikologët, oficerët e policisë dhe njësitë e mbrojtjes së fëmijëve pranë bashkive, për të identifikuar dhe trajtuar në kohë çdo rast të dyshimtë.
Ministrja shtoi se në të gjithë territorin e Shqipërisë funksionojnë rreth 1490 shkolla, me mbi 355 mijë nxënës nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën dhe rreth 30 mijë mësues.
“Jemi në standardet e duhura për të ofruar garanci maksimale dhe jemi të vëmendshëm ndaj çdo sinjalizimi. Çdo alarm duhet analizuar dhe trajtuar me seriozitet”, u shpreh Kumbaro.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




