Vrasja e çiftit Mujeci në Lezhë/ Gjendet një tjetër automjet i përdorur nga autorët, policia: Brenda tij dokumente të personave në kërkim
Gjendet pas tre ditësh automjeti që dyshohet se u përdor nga autorët e vrasjes së çiftit Kreshnik dhe Gentiana Mujeci në Balldren të Lezhës.

Sipas burimeve zyrtare, si rezultat i hetimeve, informacioneve të siguruara dhe kontrolleve të imtësishme në terren, të kryera nga shërbimet, në fshatin Torovicë, në një rrugë dytësore, në tokë arë, pranë një kanali, u gjet një automjet tip “Audi A4”, i cili dyshohet se është i përfshirë në dinamikën e ngjarjes dhe se është përdorur nga bashkautorët, të cilët kanë pasur rolin e vëzhguesve të lëvizjeve të viktimave.
Policia thotë se gjatë këqyrjes së tij, brenda automjetit u gjetën dokumentacione që u përkisnin autorëve të shpallur në kërkim.
Me qëllim kryerjen e verifikimeve më të specializuara, automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe do t’i nënshtrohet ekspertizave kriminalistike.
Ndërkohë, në mënyrë intensive dhe të pandërprerë, vijon kontrolli i zonave për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.
NGJARJA
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:50 të 26 prillit në rrugën Balldren-Torrovicë, kur çifti Mujeci po kthehej në shtëpi pas një dreke në Lezhë. Autorët që i kishin ndjekur, i zunë pritë dhe qëlluan me breshëri mbi “Audin Q7” me të cilën udhëtonin duke i lënë të vdekur në vend. Autorët vepruan me dy automjete dhe ishin të pamaskuar, çka ka bërë të mundur identifikimin e tyre nga policia.
Për këtë vrasje, policia ka shpallur në kërkim Adriano Mhillaj, 22 vjeç, Florin Mhillaj, 36 vjeç dhe Renato Mhillaj, 23 vjeç. Sipas autoriteteve, Renato Mhillaj, djali i Genc Mhillit, i vrarë 10 vite më parë, ka marrë hakun e të atit, pasi për ngjarjen akuzohej edhe Kreshnik Mujeci.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




