Reforma fiskale dhe investime në veri, Komisioni i Ligjeve miraton dy projektligje

Ekonomi | 6 muaj më parë

Komisioni për Çështjet Ligjore, nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, ka dhënë “dritën jeshile” për dy nisma të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt ekonominë dhe mirëqenien sociale: financimin e projektit ambicioz “Porta e Alpeve” dhe lehtësimin e barrës tatimore për disa kategori specifike.

Në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, anëtarët e Ligjeve shqyrtuan projektet e paraqitura nga Ministria e Financave, duke u fokusuar te përputhshmëria kushtetuese dhe ndikimi i tyre strategjik.

“Porta e Alpeve”

Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, prezantoi marrëveshjen me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI) për projektin “Porta e Alpeve”. Ky projekt synon të krijojë për herë të parë një korridor të integruar që lidh Alpet Shqiptare me bregdetin e Adriatikut.

“Projekti ‘Porta e Alpeve’ është një ndërhyrje strategjike që lidh Alpet me Shkodrën, Velipojën dhe Shëngjinin. Synimi ynë është zhvillimi i një turizmi të qëndrueshëm e gjithëvjetor dhe reduktimi i pabarazive rajonale,” u shpreh Yzeiraj gjatë fjalës së tij.

Relatori i kësaj nisme, deputeti Tedi Mula, nënvizoi se projekti plotëson të gjitha kriteret ligjore dhe është i domosdoshëm për nxitjen e ekonomisë lokale në zonat veriore, duke ftuar kolegët për miratim të plotë.

Ndryshime në tatimin mbi të ardhurat

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e ndryshimeve në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”. Ky projektligj sjell dy risi kryesore që prekin shtresat sociale:

Përjashtimi nga tatimi i pensioneve dhe shpërblimeve të ngjashme që individët rezidentë në Shqipëri përfitojnë nga shtetet e huaja.

Saktësimi ligjor për trajtimin tatimor të personave me statusin e të verbërit, duke garantuar vijimësinë e lehtësive ligjore që ky grup përfiton.

Deputeti Ermal Pacaj, në cilësinë e relatorit, e vlerësoi këtë nismë si një akt korrektimi dhe mbështetjeje sociale, duke konfirmuar se ndryshimet janë në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit.

Pas diskutimeve teknike dhe vlerësimit të termave të financimit, Komisioni i Ligjeve miratoi të dy projektligjet në parim, nen për nen dhe në tërësi. Këto drafte pritet t’i kalojnë tashmë seancës plenare për votimin përfundimtar, duke i hapur rrugë investimeve në infrastrukturë dhe zbatimit të lehtësirave të reja fiskale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme