Banka e Shqipërisë mban normën e interesit në 2.5%, Sejko: Goditja nga çmimet globale pritet të jetë kalimtare

Ekonomi | 6 muaj më parë

Banka e Shqipërisë ka vendosur të mos ndryshojë kursin e saj të politikës monetare. Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mërkurën të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, duke vlerësuar se themelet e ekonomisë vendase janë të konsoliduara për të përballuar valën e re të presioneve të jashtme.

Së bashku me normën bazë, të pandryshuara mbetën edhe norma e interesit të depozitës njëditore (1.5%) dhe ajo e kredisë njëditore (3.5%).

Efektet e krizës globale dhe inflacioni

Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi se ekonomia shqiptare po përballet me një goditje oferte për shkak të rritjes së çmimeve të naftës, e ndikuar drejtpërdrejt nga konfliktet në Lindjen e Mesme.

“Parashikimet e skenarit bazë sugjerojnë se rritja e çmimeve të naftës dhe të energjisë në tregjet botërore do të shkaktojë një rritje të lehtë dhe të përkohshme të inflacionit mbi objektiv gjatë vitit 2026, si dhe një ngadalësim margjinal të ritmit të rritjes ekonomike në vend,” deklaroi Guvernatori Sejko.

Sipas të dhënave të institucionit qendror financiar, inflacioni mesatar ishte 2.5% në tremujorin e parë të vitit. Ndonëse ky nivel mbetet ende nën objektivin e BSH-së, rritja e çmimeve të qirave dhe e karburanteve ka dhënë sinjalet e para të transmetimit të krizës globale në tregun vendas. Megjithatë, një mburojë e rëndësishme ka qenë forcimi i kursit të këmbimit, i cili ka frenuar inflacionin e importuar.

Rritje ekonomike dhe papunësia në minimumin historik

Pavarësisht pasigurive globale, të dhënat e brendshme makroekonomike paraqesin një tablo optimiste. Aktiviteti ekonomik u rrit me 3.8% në tremujorin e fundit të vitit 2025, i udhëhequr nga sektori i shërbimeve dhe ai i ndërtimit, ndërkohë që u regjistrua tkurrje në bujqësi dhe industri.

Një theks i veçantë në raportin e Bankës u vendos te tregu i punës, ku papunësia ka prekur një rekord të ri pozitiv.

“Rritja e kërkesës për mallra e shërbime është pasqyruar në rritje të punësimit e të pagave në sektorin privat jo-bujqësor, dhe në një normë papunësie në nivelin 8.3%, çka përbën dhe nivelin minimal historik të këtij treguesi në periudhën post-tranzicion,” theksoi kreu i Bankës Qendrore.

Ai sqaroi më tej se rritja e pagave është përthithur pjesërisht nga rritja e produktivitetit të bizneseve, duke shmangur kështu një rritje agresive të çmimeve të konsumit.

Zhvillimet pozitive reflektohen edhe në sistemin bankar. Kushtet e favorshme financiare kanë nxitur një rritje të fortë të kredisë për sektorin privat, e cila u zgjerua me 13.7% gjatë tre muajve të parë të vitit 2026, duke mbështetur si konsumin ashtu edhe investimet.

Qëndrimi i Bankës për të ardhmen

Vendimi për të “ngrirë” normat e interesit i jep Bankës së Shqipërisë kohën e nevojshme për të monitoruar luhatjet në tregjet botërore, pa frenuar rritjen ekonomike në vend. Institucioni mbetet në gatishmëri për të ndërhyrë nëse këto goditje afatshkurtra rrezikojnë të kthehen në një problem kronik.

“Bazuar në këto premisa, efektet e goditjes pritet të jenë kalimtare dhe të mos lënë gjurmë afatgjata në trendet e zhvillimit të vendit,” nënvizoi Sejko, duke përfunduar se: “Reagimi i politikës monetare do të vijojë të orientohet, në çdo rast, drejt respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve, duke u kujdesur që goditja e ofertës të mos shndërrohet në presione të qëndrueshme inflacioniste.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme