Paracetamoli kthehet trend në TikTok, Agjencia Italiane e Barnave ngre alarmin: Rritje e rasteve të mbidozës tek adoleshentët pas pandemisë

Agjencia Italiane e Barnave (Aifa) ka analizuar të dhënat kombëtare mbi rastet e helmimit nga Paracetamoli tek adoleshentët dhe ka dhënë një alarm të qartë për një fenomen që është rritur pas pandemisë, përhapet në rrjetet sociale dhe nuk po tregon shenja uljeje. Bëhet fjalë për veprime të qëllimshme nga të rinjtë, të lidhura me sjellje impulsive ose me bindjen e gabuar se paracetamoli, një ilaç shumë i zakonshëm dhe i konsideruar i sigurt, nuk mund të shkaktojë dëme serioze.
Pse Aifa nisi hetimin
Pika e nisjes ishte një trend shqetësues i sinjalizuar nga disa vende europiane: një “sfidë” në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, ku të rinjtë marrin doza të larta paracetamoli për të testuar rezistencën e tyre ose për të kërkuar efekte psikoaktive që ilaçi në fakt nuk i shkakton. Tre rastet e fundit të dokumentuara vijnë nga Belgjika; sinjale të ngjashme ishin shfaqur më parë edhe në Spanjë, Zvicër, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë. Për këtë arsye, AIFA vendosi të verifikonte nëse e njëjta gjë po ndodhte edhe në Itali.
Në Itali “sfida sociale” nuk ekziston (për momentin)
Lajmi i mirë është se kjo sfidë në rrjetet sociale, të paktën aktualisht, nuk duket se prek Italinë. Këtë e ka konfirmuar Carlo Locatelli, drejtor i Qendrës Kundër Helmimeve në Pavia dhe ish-president i Shoqatës Italiane të Toksikologjisë. Ai deklaroi për ANSA se analizimi i rasteve të helmimeve të qëllimshme nga paracetamoli tek të rinjtë 12-17 vjeç tregoi se fenomeni i “social challenge” nuk duket të jetë i pranishëm në Itali.
Gjithsesi, rastet e mbidozës janë rritur
Megjithatë, të dhënat tregojnë një tendencë tjetër shqetësuese: rastet e mbidozës së qëllimshme tek adoleshentët janë rritur pas pandemisë dhe vazhdojnë të mbeten në nivele të larta. Sipas AIFA-s, këto episode shpesh lidhen me “gjeste impulsive ose demonstrative” dhe me një perceptim të shtrembëruar të rrezikut. Shumë të rinj nuk besojnë se paracetamoli mund të jetë i rrezikshëm, sepse është një ilaç që gjendet kudo, blihet pa recetë dhe përdoret zakonisht për dhimbje apo temperaturë.
Pse paracetamoli mund të jetë i rrezikshëm
Paracetamoli është një nga ilaçet më të sigurta në botë. Përdoret edhe gjatë shtatzënisë dhe rekomandohet nga OBSH në listën e barnave thelbësore. Por kur tejkalohet doza maksimale ose merren disa doza në intervale shumë të afërta, situata ndryshon ndjeshëm.
“Rreziku kryesor lidhet me mëlçinë”, shpjegon Armando Genazzani, president i Shoqatës Italiane të Farmakologjisë. Helmimi nga paracetamoli është ndër shkaqet më të shpeshta të transplantit të mëlçisë, sidomos te fëmijët. Dëmtimi mund të jetë i pakthyeshëm.
Çfarë duhet bërë (dhe çfarë jo)
Agjencia Italiane e barnave kujton disa rregulla themelore: Duhet respektuar doza e treguar në fletëudhëzim ose ajo e përshkruar nga mjeku; Duhet respektuar intervali minimal mes një doze dhe tjetrës; Duhet shmangur përdorimi njëkohësisht i disa ilaçeve që përmbajnë paracetamol ose substanca të tjera të dëmshme për mëlçinë.
Në rast dyshimi për mbidozë, rekomandohet të kontaktohet menjëherë urgjenca ose një Qendër Kundër Helmimeve, edhe nëse nuk ka simptoma. Ndërhyrja e shpejtë, në këto raste, mund të shpëtojë jetën.
Roli i të rriturve
AIFA thekson edhe një aspekt që shpesh neglizhohet: përgjegjësinë e të rriturve. Prindërit, mësuesit dhe figurat e tjera udhëzuese duhet të kenë “një rol aktiv në nxitjen e informimit të saktë dhe përdorimit të përgjegjshëm” të barnave. Ndërgjegjësimi për rreziqet nuk është diçka që të rinjtë e fitojnë vetë; ai duhet të ndërtohet me informacione të qarta dhe pa alarmim të panevojshëm.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




