Rriten çmimet e karburanteve, nafta shtrenjtohet me 4 lekë, do shitet 197 lekë/litri. Ngrihet edhe benzina

Bordi i Transparencës ka vendosur një rritje të çmimeve të karburanteve në tregun shqiptar. Sipas vendimit të marrë, çmimi i naftës rritet me 4 lekë dhe do të tregtohet me 197 lekë/litër, nga 193 lekë që ishte më parë. Ndërsa çmimi i benzinës rritet me 3 lekë, duke arritur në 182 lekë/litër, nga 179 lekë më parë.
Vendimi hyn në fuqi sot, 9 maj, në orën 14:00 dhe do të mbetet i pandryshuar deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës.
Autoritetet kanë paralajmëruar të gjithë operatorët e tregut për zbatimin e detyrueshëm të çmimeve të përcaktuara, duke theksuar se çdo shkelje do të sjellë pezullimin e aktivitetit.
Kjo rritje vjen në kuadër të monitorimit të çmimeve nga Bordi i Transparencës, që synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.
“Bordi i Transparencës në datë 9 Maj 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 197 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 185 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 182 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 170 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 9 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




