Kashta: Prokurimi publik, kapitull kyç në negociatat me BE-në. Po negociojmë marrëveshje në nivelin global

Politikë | 6 muaj më parë

Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik dhe njëkohësisht negociatore për Kapitullin 5 për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Reida Kashta në fjalën e saj në konferencë ka deklaruar se prokurimi publik përbën një nga kapitujt më të rëndësishëm të procesit të integrimit europian dhe është vendosur në metodologjinë e re të BE-së në grupkapitujt themelorë.

Në një konferencë mbi ecurinë e negociatave, Kashta u shpreh se Shqipëria aktualisht po zhvillon procesin në dy drejtime kryesore, procesin e prokurimit publik dhe kapitullin 5 të negociatave me BE-në.

Kashta bëri të ditur gjithashtu se një tjetër element i rëndësishëm është edhe aderimi i Shqipërisë në Marrëveshjen Qeveritare për Prokurimin Publik në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë, proces që po zhvillohet nën koordinimin e Bashkimit Evropian.

“Sistemi i prokurimit publik shqiptar është vlerësuar nga BE si i gatshëm për t’u bërë pjesë e kësaj marrëveshjeje ndërqeveritare, duke kërkuar edhe miratimin e palëve të tjera”, u shpreh ajo.

Sipas Kashtës, kushtet mbyllëse të Kapitullit 5 mbështeten në tre shtylla kryesore: përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së, forcimin e kapaciteteve institucionale në të gjitha nivelet dhe demonstrimin e të dhënave të qëndrueshme të performancës.

“Ne po punojmë në të tre këto dimensione. Aktualisht po finalizojmë ndryshimet ligjore për përafrimin 100% me legjislacionin e BE-së dhe kemi gati dokumentacionin për kapacitetet institucionale, si dhe të dhënat e performancës për periudhën 2022–2025”, theksoi ajo.

Kashta shtoi se marrëveshja e dytë në proces negocimi shkon përtej Bashkimit Evropian dhe ka karakter global, ku BE është një nga palët pjesëmarrëse.

“Është shumë e rëndësishme për ne të marrim miratimin e BE-së për këtë marrëveshje, pasi kjo nënkupton që sistemi ynë i prokurimit publik vlerësohet i maturuar në nivelin e shteteve anëtare të saj”, u shpreh ajo.

Sipas saj, kjo marrëveshje do të hapë për Shqipërinë mundësi të reja bashkëpunimi dhe konkurrimi edhe përtej hapësirës së Bashkimit Evropian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme