“Të zbatohet vendimi i Gjykatës së Lartë për proporcionalitetin”, kërkoi lirinë, GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Metës

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për zbutjen e masës së sigurisë, duke e lënë atë në burg. GJKKO argumentoi se kërkesa nuk bazohej në prova dhe në ligj. Meta nuk ishte i pranishëm në sallë, duke deleguar përfaqësimin te avokati i tij, i cili kërkoi që seanca të vijojë në mungesë të klientit.
Në seancë ishin të pranishëm dy prokurorët, Kllapi dhe Kraja, ndërsa Dumani mungoi. Deputetët Flamur Noka, Tedi Blushi dhe Bujar Leskaj ishin gjithashtu të pranishëm.
Avokati i Metës kërkoi zbutjen e masës së sigurisë, duke propozuar detyrim paraqitjeje, arrest shtëpie dhe ndalim daljes jashtë vendit, duke argumentuar se vendimi i Gjykatës së Lartë për proporcionalitet dhe rrethanat e paraburgimit duhet të zbatohet. Mbrojtja theksoi se Meta nuk mund të pengojë provat dhe nuk ka dëshmitarë të mbrojtur që rrezikojnë procesin, duke kërkuar një masë më të lehtë sigurie.
Prokurorët e pranishëm argumentuan se nuk është paraqitur asnjë provë e re nga mbrojtja, përveç vendimit të Gjykatës së Lartë, dhe theksuan se koha e paraburgimit është në kompetencë të gjykatës. Ata shtuan se veprimtaria për të cilën akuzohet Meta lidhet me periudhën 2009-2017, ndërsa veprat e ndodhura në vitin 2020 janë mbështetur nga prova dhe dëshmitë që tregojnë bashkëpunimin e ish-presidentit me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi.
Gjykatësja kërkoi sqarime nga mbrojtja mbi arsyet e kërkesës, ndërsa avokati insistoi se paraburgimi aktual po vazhdon në mënyrë të paligjshme dhe kërkoi zbatimin e vendimeve të mëparshme për zëvendësim mase.
Seanca vijoi me shqyrtimin e mundësive për masa alternative dhe garanci pasurore, sipas ligjit, ndërsa vendimi final pritet të nxirret nga gjykata pas shqyrtimit të të gjitha argumenteve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



