Gjyqi i themelit/ Gjykata rrëzon kërkesën për transmetim live të seancës ndaj Ilir Metës

Aktualitet | 6 muaj më parë

Seanca e dytë në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta u zhvillua mes tensioneve dhe përplasjeve të forta mes mbrojtjes dhe gjykatës, ku çështja kryesore ishte kërkesa për transmetimin live të procesit.

Avokati mbrojtës i Metës, Kujtim Çakrani, i kërkoi gjykatës që seanca të transmetohej drejtpërdrejt nga mediat, duke theksuar se nuk ekziston asnjë bazë ligjore për ndalimin e një gjëje të tillë dhe e cilësoi këtë si “procesin e vitit” që duhet të ndiqet nga publiku.

Në të njëjtën linjë, Monika Kryemadhi mbështeti kërkesën e avokatit duke deklaruar se ajo dhe Meta janë bërë objekt linçimi publik dhe se opinioni duhet të ketë mundësinë të shohë provat dhe të vërtetat e akuzave.

Ajo kërkoi gjithashtu që mbrojtjes t’i vihen në dispozicion të gjitha përgjimet ambientale dhe telefonike të kryera nga prokuroria, ndërsa gjykatësja u shpreh se çdo material i ardhur nga seanca paraprake do t’u dorëzohet palëve.

Pas tërheqjes për vendim, gjykata vendosi që seanca të mos transmetohet live, duke argumentuar se një gjë e tillë do të krijonte presion publik dhe mediatik mbi procesin, vendim i raportuar nga gazetarja e RTSH Flutura Tota.

Në sallë ishte i pranishëm Ilir Meta, i vendosur brenda kafazit të qelqtë, duke komunikuar me shenja me median për shkak të vështirësisë së kontaktit direkt, ndërsa të pranishme ishin edhe Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku, me Piro Xhixhon dhe Fatime Kryemadhin të përfaqësuar nga avokatët e tyre.

Procesi pritet të vijojë me shqyrtimin e provave dhe përgjimeve të prokurorisë, ndërsa mbrojtja këmbëngul për transparencë maksimale dhe përfshirjen e mediave në çdo hap të gjykimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme