Mbi katër dekada në shërbim të qytetarëve, Policia e Shtetit nderon me “Certifikatën e Karrierës” 7 punonjës policie, të cilët mbyllën rrugëtimin e tyre profesional

Në një ceremoni solemne të zhvilluar në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm, Drejtues Madhor Skender Hita, ka vlerësuar me “Certifikatën e Karrierës” shtatë punonjës policie, të cilët mbyllën rrugëtimin e tyre profesional pas më shumë se 40 vitesh shërbimi aktiv.
Ceremonia mblodhi drejtues të lartë të Policisë, përfaqësues të Akademisë së Sigurisë dhe kolegë, për të nderuar kontributin e atyre që konsiderohen si “memoria dhe kolona e institucionit”.
Skender Hita: Përvoja juaj, referencë për brezat e rinj
Gjatë fjalës së tij, Drejtues Madhor Skender Hita vuri theksin te sakrifica dhe dinjiteti me të cilin këta punonjës kanë shërbyer ndër dekada, duke kontribuar në forcimin e sigurisë publike dhe rritjen e besueshmërisë së Policisë.
“Jemi mbledhur jo thjesht për të përcjellë disa punonjës në pension, por për të vlerësuar dhe nderuar kolegë që kanë dhënë dekada nga jeta e tyre për sigurinë publike. Përvoja, profesionalizmi dhe vlerat që keni ndërtuar do të mbeten një referencë e vyer për brezat e rinj. Dera e Policisë së Shtetit do të jetë gjithmonë e hapur për këshillat tuaja,” u shpreh z. Hita.
Drejtori i Përgjithshëm falënderoi gjithashtu familjet e efektivëve, duke i cilësuar ato si mbështetjen kryesore që kanë ndarë vështirësitë dhe sakrificat e një detyre sa fisnike, aq edhe sfiduese.
Mirënjohja e veteranëve të Policisë
Punonjësit që mbyllën karrierën shprehën mirënjohjen e tyre për vlerësimin e marrë, duke vlerësuar bashkëpunimin me eprorët dhe kolegët ndër vite. Ata i uruan Drejtorit të Përgjithshëm suksese në misionin e rëndësishëm të drejtimit të Policisë së Shtetit në shërbim të qytetarëve shqiptarë.
Punonjësit e vlerësuar me “Certifikatën e Karrierës”:
Drejtues i Parë: Albert Dervishaj
Drejtues i Parë: Skender Kalemi
Drejtues: Dritan Avdyli
Drejtues: Remzi Brahimi
Kryekomisar: Nikolin Thana
Kryekomisar: Idajet Shatro
Kryekomisar: Arben Ibro
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.






















