Tregu imobiliar në Durrës, rritet kërkesa për prona te ish-Vollga dhe zona Shkëmbi i Kavajës–Qerret
Durrësi vijon të mbetet një nga qytetet me kërkesën më të lartë për blerjen e apartamenteve në vend. Interesi për tregun imobiliar është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, jo vetëm nga qytetarët vendas, por edhe nga shtetas të huaj.
“Pjesa më e madhe janë shqiptarë dhe emigrantë shqiptarë të Shqipërisë, por edhe të Maqedonisë dhe të Kosovës. Ka edhe të huaj që vazhdojnë po ato lloj trendesh, pra me shtetas polakë dhe çekë që janë të parët, pak italianë. Kemi parë klientë edhe ukrainas, edhe rusë”, tha Florian Tahiri, pronar i një Agjencie Imobiliare.
Sipas agjentëve imobiliarë, ndikim të drejtpërdrejtë në ritmin e tregut të pasurive të paluajtshme, ka pasur procesi i rivlerësimit të pronave. Vetëm gjatë dy muajve të fundit janë kryer afro 9 mijë aplikime për rivlerësim në të gjithë vendin, ndërsa rreth 2 mijë në Durrës.
“Qyteti i Durrësit, në qoftë se marrim po të themi ASK-në në Durrës, ka pasur mbi 2.000 aplikime. Ka dhënë patjetër një impuls tregut, ka ndikuar në qarkullim në përgjithësi, ndërsa për sa i përket pjesës së çmimeve, nuk është se rivlerësimi ka ndikuar drejtpërdrejt te pjesa e çmimeve, absolutisht jo.
Në qytetin e Durrësit vazhdon të mbajë vendin e parë zona e Vollgës me kërkesën më të lartë, edhe pse nuk ka ndërtime dhe normalisht, kërkesë-ofertë, çmimet kanë shkuar relativisht lart dhe në përgjithësi ka pak transaksione. Zona e dytë është qendra e Durrësit dhe pa diskutim zona e tretë dihet që është zona e plazhit, sa më afër detit, nga Urata e Dajlanit deri në Qerret të Kavajës”, tha ai.
Zonat më të preferuara për blerjen e pronave në Durrës mbeten ish-Vollga, qendra e qytetit, si edhe zona turistike Shkëmbi i Kavajës–Qerret. Çmimet e apartamenteve në këto zona variojnë nga 1200 deri në 2500 euro për metër katror.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




