Forumi mbi riskun dhe fatkeqësitë natyrore, Ibrahimaj: Duhet sigurim i detyrueshëm i banesave dhe bizneseve për tërmetet dhe përmbytjet

Ekonomi | 6 muaj më parë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se Shqipëria duhet të ndërtojë mekanizma më të fortë mbrojtjeje përballë fatkeqësive natyrore, duke theksuar nevojën për politika afatgjata dhe sigurim të detyrueshëm ndaj tërmeteve dhe përmbytjeve.

Në konferencën e organizuar për risqet dhe fatkeqësitë natyrore, Ibrahimaj u shpreh se këto fenomene nuk prekin vetëm jetën e qytetarëve, por edhe mirëqenien ekonomike të vendit.

Sipas saj, qeveria prej disa vitesh ka ngritur një grup teknik për hartimin e një ligji mbi fatkeqësitë natyrore, me fokus tërmetet dhe përmbytjet, në mënyrë që të minimizohen humbjet.

“Kjo konferencë i dedikohet risqeve në këndvështrim të gjerë, që duhen parë si risqe që prekin jo vetëm jetën e qytetarëve, por edhe mirëqenien e përgjithshme të vendit. Është e rëndësishme që të ngremë mekanizmat e duhur jo vetëm për parandalimin e dëmeve, por edhe kur fatkeqësitë ndodhin, të jemi sa më të sigurt nga ana ekonomike, që kurdo që këto të ndodhin, ekonomia e vendit të jetë sa më e mbrojtur.

Prej disa vitesh, qeveria ka vënë në dispozicion një grup teknik që po merret me hartimin e një ligji për fatkeqësitë natyrore, si tërmetet dhe përmbytjet, që të kemi sa më pak humbje. Nuk duhet të përqendrohemi te politikat afatshkurtra apo afatmesme, por te ato afatgjata që ruajnë stabilitetin fiskal dhe ekonominë e qëndrueshme”, tha Ibrahimaj.

Sipas Ibrahimajt, sigurimi i detyrueshëm për mbrojtjen nga tërmetet dhe përmbytjet duhet të jetë rekomandimi kryesor i forumit. Ministrja theksoi se politikat duhet të jenë afatgjata dhe të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit fiskal dhe ekonomisë së qëndrueshme.

“Nga tërmeti i 2019-s, buxheti i shtetit pati një kosto të lartë, gati 1 miliard euro, dhe kjo na tregon se duhet të jemi të ruajtur dhe të mbrojtur për fatkeqësi që nuk mund të parashikohen, dhe për këtë duhen politika që të ulin sa më shumë risqet.

Niveli i sigurimit në banesa nga tërmetet dhe përmbytjet është tmerrësisht i ulët dhe biznesi nuk e ka kulturën e sigurimit ndaj këtyre fenomeneve, ndaj hartimi në mënyrën e duhur për sigurimin e detyrueshëm për mbrojtje nga tërmetet dhe përmbytjet, për mua, është thelbësor dhe duhet të jetë rekomandimi kryesor i këtij forumi”, tha ajo.

Duke iu referuar të dhënave të Bankës Botërore, Ibrahimaj deklaroi se Shqipëria është një nga vendet më të ekspozuara ndaj fatkeqësive natyrore në Europë, ku 86% e territorit dhe 88% e popullsisë janë të rrezikuara nga këto fenomene.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme