Ministri shqiptar i sportit, Gonxhja: Prishtina dhe Durrësi po ndërtojnë një histori të re për sportin mesdhetar

Në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur zhvillimin e një takimi të rëndësishëm koordinues mes drejtuesve të institucioneve sportive të Kosovës dhe Shqipërisë. Në qendër të këtij takimi ishte organizimi i ngjarjes së madhe sportive dhe roli kyç që do të ketë qyteti i Durrësit si mikpritës i garave të sporteve ujore.
Në këtë tryezë bashkëpunimi morën pjesë personalitete të larta të sportit ndërkombëtar dhe rajonal: Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) dhe njëherësh President i Komitetit Olimpik të Maltës, Julian Pace Bonello; Sekretari i Përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis; Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi; Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, si dhe këshilltari i Ministrit të Sportit të Kosovës, Drilon Brahimi.
Ministri Gonxhja bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua gjerësisht mbi procesin e inspektimeve dhe koordinimin e përgjithshëm logjistik e organizativ të lojërave. Gjatë bisedimeve u rikonfirmua se Shqipëria, përmes infrastrukturës bregdetare të Durrësit, do të ketë një peshë specifike në mbarëvajtjen e disiplinave ujore të këtij eventi madhor.
Nga ana e tij, Presidenti i ICMG-së, Julian Pace Bonello, u shpreh i impresionuar nga mikpritja dhe progresi i dukshëm i sportit shqiptar. Ai vlerësoi lart mbështetjen reciproke dhe bashkëpunimin strategjik mes institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës, si një garanci solide për realizimin me sukses të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Kosovapress
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.


































