Ministrja Evis Sala në Asamblenë e OBSH-së: Shqipëria forcon angazhimin për mbrojtjen e fëmijëve dhe shëndetin publik

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka marrë pjesë në sesionin e 79-të të Organizata Botërore e Shëndetësisë, që po zhvillohet në Gjenevë, ku në fokus të diskutimeve janë mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet online, ndryshimet klimatike dhe forcimi i sistemeve shëndetësore.
Aktivitetet e Asamblesë nisën me një memorial kushtuar fëmijëve të humbur si pasojë e dhunës digjitale, një nismë e OBSH-së me pjesëmarrjen e Meghan Markle. Në këtë event, ministrja Sala rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për vendosjen e fëmijëve në qendër të politikave sociale dhe reformave kombëtare.
“Jemi ndër vendet e para në Ballkanin Perëndimor që kemi miratuar një Plan Kombëtar Veprimi për Garancinë Evropiane për Fëmijët, me fokus parandalimin, përfshirjen dhe moslënien e asnjë fëmije pas. Dhënia fund e dhunës ndaj fëmijëve kërkon guxim politik dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, deklaroi ministrja Sala.
Ajo theksoi gjithashtu se Shqipëria është tashmë pjesë e Këshillit të Kampionëve të OBSH-së, në një kohë kur dhuna ndaj fëmijëve po konsiderohet gjithnjë e më shumë një sfidë madhore për shëndetin publik dhe të drejtat e njeriut.
Gjatë një eventi të nivelit të lartë të organizuar nga Komisioni Pan-Europian për Klimën dhe Shëndetësinë i OBSH-së, ministrja Sala foli edhe për ndikimin e ndryshimeve klimatike në sistemet shëndetësore, shëndetin mendor dhe mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë.
Ajo prezantoi prioritetet e Planit Kombëtar të Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2036, duke theksuar se shëndeti mbetet në qendër të strategjive kombëtare për përshtatje ndaj klimës.
“Prioritetet tona përfshijnë forcimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm, fuqizimin e kujdesit shëndetësor parësor, investimin në personelin shëndetësor, mbrojtjen e popullatave vulnerabël dhe rritjen e koordinimit ndërinstitucional për klimën dhe shëndetin”, u shpreh ministrja.Sesioni i 79-të i Asamblesë Botërore të Shëndetësisë pritet të fokusohet në sfidat globale të shëndetësisë, përfshirë përgatitjen ndaj pandemive, financimin e qëndrueshëm të OBSH-së, inteligjencën artificiale në shëndetësi, shëndetin mendor, sëmundjet jo të transmetueshme dhe ndikimin e krizave klimatike e humanitare në shëndetin publik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




