Turizmi masiv dhe pasojat në Shkodër, ekspertët ngrenë shqetësimin për ndotjen e mjedisit

Turizëm | 5 muaj më parë

Mbi 1 milion turistë vizituan zonat e mbrojtura të Shkodrës gjatë vitit të kaluar, por krahas zhvillimit të turizmit janë shtuar edhe shqetësimet për dëmtimin e natyrës dhe ndotjen e mjedisit.

Qarku i Shkodrës ka rreth 105 mijë hektarë zona të mbrojtura dhe 115 monumente natyrore, ndërsa mbeturinat e hedhura pa kriter krijojnë efekte negative në ekosistem. Pasojat janë vënë re edhe në fillim vit sipas drejtorit të Zonave të Mbrojtura Shkodër, Agim Dardha.

“Çdo mbetje plastike që hidhet nga zona e Valbonës, nga pjesa e Kosovës, nga baseni i Drinit dhe ai i liqenit të Shkodrës, përfundon në lumin Buna dhe më pas në det. Duhet të rrisim ndërgjegjësimin se çdo mbetje plastike, pavarësisht se ku hidhet në Alpe apo në territorin e Shkodrës përfundon duke u kthyer në një ndotës kryesor. Ajo nuk dëmton vetëm pamjen, por gjithë ekosistemin”, u shpreh Agim Dardha, Drejtor, AdZM Shkodër .

Efektet e turizmit masiv nuk kursejnë as sitet arkeologjike dhe monumentet kulturore sipas drejtorit të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Helidon Sokoli.

“Ne jemi treguar të vëmendshëm që këto site arkeologjike t’i pajisim edhe me sinjalistikë paralajmëruese për vizitorët, që të mos ngjiten mbi mure, të tregojnë kujdes dhe të mbahet pastër ambienti. Rezulton se turisti i huaj është pak më i vëmendshëm dhe më i kujdesshëm, gjë që nuk e shohim në të njëjtën masë te turisti vendas”, tha Helidon Sokoli, Drejtor, DRTK Shkodër.

Specialistët bëjnë thirrje për më shumë ndërgjegjësim, në mënyrë që zhvillimi i turizmit të mos dëmtojë natyrën dhe trashëgiminë kulturore.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme