Ndërhyrje komplekse të kirurgjisë së shtyllës kurrizore, Shqipëria pret për herë të parë në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Kirurgjisë Spinale
Sëmundjet dhe traumat e shtyllës kurrizore që kanë si shkak i aksidentet rrugore apo ato në punë mund të çojnë deri në paralizë dhe invaliditet të përhershëm. Të konsideruara si ndërhyrje kirurgjikale të një shkalle shumë të lartë vështirësie, neurokirurgu Fatos Olldashi tregon se cilat janë patologjitë më të shpeshta me të cilat po ndeshen sot mjekët.
“Janë kryesisht traumat, deformimet e shtyllës kurrizore, tumoret, si dhe sëmundjet degjenerative që lidhen me problemet reumatizmale dhe ato të moshës, siç është osteoporoza. Fakti që ne vazhdojmë të kemi shumë raste traumash lidhet sidomos me mosrespektimin e rregullave të qarkullimit rrugor dhe të sigurisë në punë. Ne kemi rreth 40 raste të pacientëve që pësojnë paraliza totale. Ndërhyrja e hershme kirurgjikale bën të mundur uljen e shkallës së invaliditetit”, u shpreh neurokirurgu..
Por zhvillimi i teknologjisë dhe kirurgjisë spinale po krijon mundësi për ndërhyrje gjithnjë e më komplekse edhe në Shqipëri.
“Do të përmendja praninë e sistemit imazherik O-arm dhe të neuronavigimit, pra një skaner që ndodhet brenda sallës së operacionit dhe na orienton gjatë kryerjes së ndërhyrjeve kirurgjikale. Gjithashtu, kemi sistemin e monitorimit dhe, natyrisht, mikroskopin. E rëndësishme është edhe teknologjia e re e endoskopisë spinale. Akoma më e rëndësishme është se prej 10 vitesh shteti rimburson dhe plotëson të gjitha kërkesat për materiale, të cilat kanë një kosto të lartë për pacientët me probleme të shtyllës kurrizore”, tha ai.
Përtej trajtimit, rëndësi ka edhe parandalimi. Mungesa e aktivitetit fizik, qëndrimi i zgjatur ulur dhe përdorimi i tepruar i celularëve janë zakone që kërkojnë më shumë vëmendje, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë.
“Natyrisht, kjo nuk i takon vetëm mjekësisë. Edhe ne urojmë që këto raste të mos përfundojnë në duart tona. Por edukimi duhet të nisë që në bankat e shkollës apo në familje, duke i nxitur fëmijët të merren sa më shumë me aktivitet fizik dhe të kenë një ushqyerje të shëndetshme, për të shmangur obezitetin. Në këtë mënyrë, do të kemi sa më pak pacientë që kanë nevojë për trajtim kirurgjikal”, theksoi Olldashi.
Për herë të pare përmes organzimit të Kongresit Ndërkombëtar të Kirurgjisë, Shqipëria u bë vendi I shkëmbimit të përvojës mes ekspertëve duke u bërë kështu dëshmi e kapaciteteve profesionale dhe teknologjike të krijuara në këtë fushë e duke u vendosur në hartën e bashkëpunimit ndërkombëtar të neurokirurgjisë.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




