Vrau vëllezërit në Patos në ‘97 dhe 5 muaj më pas një shqiptare në Belgjikë që e shfrytëzonte për prostitucion, arrestohet në SHBA 51-vjeçari

Një person i shpallur në kërkim për vrasje në Patos dhe në Belgjikë është arrestuar në Ohio të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në pranga përfundoi Sokol Hoxha, 51 vjeç, i akuzuar për dy vrasje të ndryshme.
Në vitin 1997, Sokol Hoxha akuzohet se, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, vrau me armë zjarri dy vëllezërit në Patos. Për këtë krim, Gjykata e Fierit e dënoi në vitin 2000 me 25 vjet burgim për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim. Viktimat ishin vëllezërit H. B. dhe I. B., ndërsa krimi u krye për motive të dobëta.
Pesë muaj pas vrasjes së dy vëllezërve, 51-vjeçari akuzohet se vrau një shtetase shqiptare në Bruksel, të cilën e shfrytëzonte për prostitucion. Për këtë ngjarje, Gjykata e Brukselit e dënoi në vitin 2010 me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Arrestimi i tij në Ohio u realizua pas shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Njësisë së Hetimeve Ndërkombëtare Kriminale DSS/OCIU, me përfshirjen e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Policia e Shtetit po punon ngushtë me agjencitë ligjzbatuese të SHBA-së për të siguruar kthimin e 51-vjeçarit dhe për t’u përballur me drejtësinë në Shqipëri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




