Zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, KQZ miraton adresat e kutive postare për votim në 22 shtete

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka miratuar sot adresat e kutive postare për votimin me postë për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Procesi i votimit me postë do të nisë më 25 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor.
Kutia postare do të jetë funksionale në 22 shtete, duke përfshirë: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër. Përveç tyre, funksionale mbetet edhe kutia postare e përhershme e KQZ-së në Kosovë.
Në të njëjtën mbledhje, KQZ miratoi edhe planin operacional të sigurisë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Ky plan ka për qëllim sigurimin e një procesi zgjedhor të rregullt dhe të sigurt, përmes bashkëpunimit ndërinstitucional, koordinimit me organet e rendit dhe menaxhimit të situatave eventuale gjatë procesit.
Gjithashtu, Komisioni miratoi programin e trajnimeve dhe kurrikulën për stafin që do të angazhohet në zgjedhje, duke përfshirë trajnerët, anëtarët e Këshillave të Vendvotimit, ekipet mobile për votimin e personave me nevoja të veçanta, numëruesit në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe stafin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Programi ka për qëllim t’i pajisë këta persona me njohuri për të gjitha procedurat e votimit dhe numërimit, përfshirë votimin me kusht dhe paketimin e materialit zgjedhor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




