Alarm për rrezik ajror në Lituani, zyrtarët e lartë dhe qytetarët strehohen nëpër bunkerë
Autoritetet lituaneze lëshuan të mërkurën një paralajmërim për rrezik ajror, duke iu kërkuar qytetarëve t’u drejtoheshin vendstrehimeve dhe duke pezulluar trafikun në aeroportin e kryeqytetit, Vilnius, pasi u raportua se ekzistonte mundësia që hapësira ajrore e vendit të dhunohej nga dronë.
“Drejtohuni menjëherë në vendstrehime, kujdesuni për të afërmit dhe prisni rekomandime të reja”, ishte mesazhi që ushtria lituaneze iu dërgoi qytetarëve të kryeqytetit. Si masë standarde e sigurisë, edhe zyrtarët e lartë të vendit, përfshi kryeministrin dhe presidentin, u evakuuan drejt bunkerëve të emergjencës.
Udhëzimi i ushtrisë erdhi pasi qendra kombëtare e menaxhimit të krizave bëri me dije se pranë kufirit me Bjellorusinë ishte vënë re aktivitet droni që po fluturonte drejt territorit lituanez, por origjina e mjetit nuk është konfirmuar.
Pas orës 11 të kësaj paraditeje, ushtria çaktivizoi alarmin, duke iu thënë qytetarëve se gjendja ishte rikthyer në normalitet dhe mund të largoheshin nga vendstrehimet.
Kjo është një nga shkeljet më të fundit ajrore në rajon gjatë kohës që vijon lufta mes Rusisë dhe Ukrainës.
Një avion ushtarak i NATO-s qëlloi dhe rrëzoi një ditë më parë një dron që dyshohet se ishte ukrainas mbi Estoni.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




