ILD forcon bashkëpunimin me Danimarkën në drejtësi, Metani takime për standardet e shtetit të së drejtës

Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), Artur Metani, zhvilloi një vizitë pune në Danimarkë më 21–22 maj 2026, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e drejtësisë dhe mekanizmave të përgjegjshmërisë së magjistratëve.
Në Kopenhagë, delegacioni i ILD-së zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve daneze dhe me Ambasadën e Shqipërisë. Në një nga takimet kryesore me Drejtorin për Politikat Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Jakob K. Alvi, u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi në Shqipëri, standardet e shtetit të së drejtës dhe procesin e integrimit evropian.
Gjatë takimeve, Metani vlerësoi mbështetjen e Danimarkës dhe theksoi se reforma në drejtësi ka forcuar parimet e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor. Ai nënvizoi se ILD ushtron funksionet e tij në përputhje me parimin e përgjegjësisë disiplinore, duke ruajtur balancën mes pavarësisë së magjistratëve dhe të drejtës së qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi rajonal i ILD-së, ku Metani evidentoi anëtarësimin në rrjetin evropian RESIJ dhe organizimin në Tiranë të një konference rajonale me vendet e Ballkanit Perëndimor për shërbimet e inspektimit.
Nga ana e tij, përfaqësuesi danez Jakob K. Alvi vlerësoi punën institucionale të ILD-së dhe bëri me dije se Danimarka pritet të rihapë ambasadën e saj në Shqipëri në muajt e ardhshëm.
Gjatë vizitës, delegacioni i ILD-së zhvilloi gjithashtu një takim në Gjykatën Speciale për Ngritjen e Akuzës dhe Rishikimin, ku u diskutuan mekanizmat danezë të inspektimit, përgjegjshmëria në sistemin e drejtësisë dhe praktikat për trajtimin e çështjeve disiplinore.
Po ashtu, u zhvillua një takim në Ambasadën e Shqipërisë në Kopenhagë me Ambasadorin Sokol Dedja, ku u diskutua roli i diplomacisë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetja e diasporës shqiptare.
Vizita u vlerësua si një hap i rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe njohjen me përvojën daneze në funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe standardet e shtetit të së drejtës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




