Irani përcakton Kinën si destinacion për transferimin e uraniumit të pasuruar

Botë | 5 muaj më parë

Aksioni diplomatik për përfundimin e luftës në Iran ka marrë një kthesë të re gjeopolitike në Azi. Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Irani po negociojnë një marrëveshje kuadër, Teherani ka ndryshuar qëndrim sa i përket destinacionit të lëndës së tij bërthamore, duke kërkuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të Kinës si garantuese të traktatit.

Sipas burimeve të larta diplomatike të cituara nga rrjetet informative Al-Arabiya dhe Al-Hadath, “Irani është gati të largojë uraniumin e pasuruar shumë nga territori i tij”, por ndryshe nga opsionet e mëparshme, Teherani zyrtar tashmë “përcakton që uraniumi i pasuruar shumë të transferohet në Kinë”. Përpara se të bëjë këtë hap dhe të finalizojë marrëveshjen me Uashingtonin, palët bëjnë me dije se “Irani po kërkon garanci nga Kina”.

Misioni i përbashkët pakistanez në Pekin

Në këtë kontekst, Pakistani ka marrë një rol qendror ndërmjetësimi. Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, dhe shefi i ushtrisë së vendit, gjenerali Asim Munir – i cili po vepron si kryenegociator në bisedimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit – mbërritën të hënën në Pekin për të zhvilluar takime të nivelit të lartë me lidershipin kinez.

Televizioni shtetëror pakistanez dhe agjencia zyrtare kineze e lajmeve, Xinhua, konfirmuan axhendën e ngjeshur të delegacionit. Kryeministri Sharif dhe gjenerali Munir zhvilluan takime me zyrtarin e dytë më të lartë të Kinës, kryeministrin Li Qiang. Pas bisedimeve me Li Qiang, Sharif u prit në një takim të posaçëm nga Presidenti kinez, Xi Jinping.

Burimet nga Al-Arabiya dhe Al-Hadath konfirmuan se prania e shefit të ushtrisë pakistaneze në këto takime lidhet drejtpërdrejt me kërkesën për të siguruar peshën politike të Pekinit në marrëveshje, duke nënvizuar se “Islamabadi këmbëngul që Pekini të luajë rolin e garantuesit në çdo marrëveshje midis Amerikës dhe Iranit”.

Drejt Dohas, zhvendosja e nyjës negociatore

Përfshirja e Kinës si destinacion për uraniumin iranian dhe si garantuese e sigurisë vjen në një moment kritik, kur marrëveshja parashikon një afat kalimtar dymujor për sanksionet dhe kontrollin bërthamor.

Pas përmbylljes së konsultimeve në Pekin, burimet diplomatike sugjerojnë se nyja e bisedimeve do të zhvendoset sërish në Lindjen e Mesme. Ndërmjetësit kanë bërë me dije se “shefi i ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, do të shkonte në Doha” për të koordinuar hapat e ardhshëm me diplomatët rajonalë dhe amerikanë, me qëllim zyrtarizimin e rolit të ri të Kinës në drafte.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme