Izraeli pushton fortesën historike të Beaufortit, përshkallëzohet konflikti me Hezbollahun
Trupat izraelite kanë marrë në kontroll fortesën mesjetare të Beaufort në Liban, duke shënuar kështu avancimin më të thellë në territorin e vendit fqinj në më shumë se një çerek shekulli. Pushtimi i fortesës që ndodhet pranë qytetit të Nabatiyeh erdhi disa ditë pas luftimeve intensive dhe sulmeve ajrore në fshatrat përreth, ku trupat izraelite luftuan me anëtarë të grupit militant Hezbollah.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, u shpreh se trupat e vendit të tij kishin marrë në kontroll kështjellën, të pushtuar edhe një herë tjetër nga Izraeli në 1982, dhe nga ku mund të shihen qartësisht zona të tëra të Libanit jugor ndërsa po zgjeronin operacionet tokësore.
“44 vite pas betejës heroike të Beaufort, trupat tona janë kthyer atje duke ngritur sërish flamurin izraelit në një nga pikat më të rëndësishme strategjike për mbrojtjen e komuniteteve të Galilesë dhe sigurisë së forcave tona“, u shpreh Katz në një postim në rrjetet sociale.
Kryeministri libanez Nawaf Salam akuzoi Izraelin për ndjekjen e një politike shkatërrimi dhe dënimi kolektiv në jug të vendit të tij, duke kërkuar ndaljen e luftimeve dhe duke paralajmëruar se këto të fundit po shkatërronin qyteza dhe fshatra e po detyronin banorët të largoheshin nga vendbanimet e tyre.
Delegacione ushtarake të Libanit dhe Izraelit u takuan një ditë më parë në Uashington dhe bisedime do të mbahen sërish javën e ardhshme.
Kryeministri libanez theksoi se rezultati i negociatave nuk ishte i garantuar, por gjithsesi i cilësoi si rrugën me koston më të ulët për vendin e tij.
Një armëpushim për ndaljen e luftimeve mes Izraelit dhe grupit militant Hezbollah, që mbështetet nga Irani, hyri në fuqi më 17 prill, por kurrë nuk u zbatua.
Si Izraeli ashtu edhe Hezbollah akuzuan çdo ditë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit dhe sulmet e tyre i justifikuan si kundërpërgjigje ndaj shkeljeve të pretenduara nga pala tjetër.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




