Ndahet nga jeta babai i Ilir Metës, pritet që kreu i PL-së të marrë pjesë në ceremoninë mortore

Aktualitet | 5 muaj më parë

Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare Rexhep Metaj, babai i ish-Presidentit të Republikës dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ceremonia mortore do të zhvillohet në Çepan të Skraparit, dhe pritet që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve t’i japë leje Ilir Metës për të marrë pjesë në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të të atit.

Lajmi për ndarjen nga jeta të Rexhep Metaj u bë me dije nga ish-bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi, teksa po hynte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

““Vdiq babai i Ilirit, prandaj jam kështu”, deklaroi Kryemadhi.

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ndaj tij po zhvillohen hetime që lidhen me dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe çështje që kanë të bëjnë me verifikimin e pasurisë.

Hetimet e SPAK-ut ndaj ish-presidentit janë pjesë e një procedimi penal të nisur pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri. Ky i fundit pretendoi se për llogari të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), sot Partia e Lirisë, janë shpenzuar rreth 700 mijë dollarë të padeklaruara për aktivitete lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në kuadër të këtij hetimi, në shtator të vitit 2022, SPAK nisi një letërporosi drejt autoriteteve amerikane, duke kërkuar informacion mbi kompanitë e lobimit të regjistruara pranë Departamentit të Drejtësisë në SHBA dhe transaksionet që lidhen me këtë çështje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme