Rrethuan stanin për të arrestuar 43-vjeçarin, detaje nga vrasja e efektivit të “Shqiponjave” dhe plagosja e policit, autori i dënuar me 10 vite burg për kultivim droge

Aktualitet | 5 muaj më parë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë që tronditi Maliqin mëngjesin e kësaj të enjte (4 qershor), ku një efektiv i forcave “Shqiponja” u vra gjatë një operacioni për arrestimin e një të kërkuar, ndërsa një tjetër polic dhe autori mbetën të plagosur.

Sipas informacioneve paraprake nga blutë e Korçës bëhet me dije se forcat e policisë kanë rrethuar stanin në zonën e Lozhanit, ku dyshohej se fshihej 43-vjeçari Violand Braçellari i dënuar në 2017-ën me 9 vite e 11 muaj burg për dy vepra penale, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Pasi forcat e policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dorëzohej, 43-vjeçari ka hapur zjarr në drejtim të tyre duke i marrë jetën punonjësit të “Shqiponjave” 34-vjeçarit Enea Mekolli dhe plagosi efektivin tjetër 36-vjeçarin E.A.

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, efektivët janë kundërpërgjigjur me zjarr duke plagosur autorin Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.

Në drejtim të vendit të ngjarjes është nisur helikopteri i shëndetësisë.

“Korçë/Informacion paraprak

Humbet jetën në krye të detyrës, 1 punonjës policie, si dhe plagoset një tjetër punonjës policie, nga sulmi me armë zjarri nga një person i kërkuar i cili u neutralizua dhe u plagos gjatë  shkëmbimit të zjarrit gjatë një operacioni për kapjen e tij.

Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një personi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe të Komisariatit të Policisë Korçë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq.

Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë).

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.

Në drejtim të vendit të ngjarjes është nisur helikopteri i shëndetësisë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës Policie dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës i Policisë”, thuhet në njoftim.

Në foto autori i ngjarjes, 43-vjeçari Violand Braçellari

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme