Mbërrin në Spitalin e Traumës efektivi i plagosur, Brataj: Ka dëmtime në qafë dhe kokë. Po i nënshtrohet operacionit
Ka mbërritur me helikopter në Spitalin e Traumës efektivi i Policisë së Shtetit, 36-vjeçari Edison Adri, i plagosur gjatë operacionit për arrestimin e të kërkuarit për drogë, 43-vjeçari Violand Braçellari.
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka bërë me dije se gjendja e të plagosurit është stabël dhe brenda parametrave normalë. Ai theksoi se efektivi ka marrë plagë në pjesën e qafës dhe të kokës.
“Po bëhet maksimumi për të marrë rezultatin maksimal. Ka lëndim në pjesën e qafës dhe kokës. Gjithmonë një traumë e këtyre përmasave është kërcënuese. Është herët për të thënë. Është nisur me ambulancë drejt spitalit. Dëmtimet janë jo kërcënuese, pacienti ka qenë stabël me parametra normale., nuk mund të flasim për kërcënim jete. Shoqërohej nga reanimatori dhe ekipi. Parametrat në normë. Është stabël, sapo u fut në sallë”, tha Brataj.
Ky i fundit sqaroi dhe gjendjen shëndetësore të autorit Violand Braçellari, i cili gjithashtu u plagos si pasojë e kundërpërgjigjes me zjarr nga policia. Brataj bën me dije se autori është në gjendje të stabilizuar dhe po dërgohet drejt Spitalit të Traumës.
“Autori është vlerësuar nga spitali i Korçës, është stabilizuar dhe po vjen në spital, është rrugës”, tha Brataj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




