I jepet lamtumira “Dëshmorit të Atdheut” Enea Mekollit

Aktualitet | 3 muaj më parë

I është dhënë lamtumira e fundit efektivit të policisë Enea Mekolli. Qindra kolegë, bashkëqytetarë, drejtues vendorë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita dhe zëvendëskryeministrja Albana Kocciu bënë homazhe gjatë ceremonisë së lamtumirës e cila u mbajt në Pogradec, në vendlindjen e tij. 

Nderime edhe nga presidenti i Republikës Bajram Begaj, të cilit xhaxhai i dëshmorit i kërkoi luftë kundër krimit: 

Jepi fund krimit se po na vriten djemtë… si vrasin 3-4 herë, të merrni masa, në emër të Zotit se… nuk po dominon dot policia krimin.” 

Ngushëllime të gjithëve, sepse në fakt kjo ditë është një reflektim për të gjithë shoqërinë, për të garantuar akoma më shumë përgjegjësi dhe për të reflektuar akoma më shumë kur vjen puna tek sjellja qytetare dhe patjetër pastaj edhe tek përgjegjësia përpara ligjit.” – tha Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Albana Kocciu. 

34-vjeçari Enea Mekolli mbeti i vrarë gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, Maliq, për arrestimin e të shumëkërkuarit Violand Braçellari. 

Hetimet për ngjarjen e rëndë kanë zbuluar detaje të reja. Në stanin ku fshihej Violand Braçellari, policia gjeti tre armë: kallashnikovin me të cilin ai qëlloi ndaj efektivëve, një pushkë model 56 dhe një çifte. Në vendin ku ai ishte strehuar është gjetur gjithashtu një radio policie. 

Grupi hetimor vlerëson se Policia e Korçës ka bërë një vlerësim korrekt të nivelit të rrezikshmërisë së Braçellarit, i cili ishte i dënuar për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike dhe jo për vepra të rënda penale kundër jetës. 

Sipas hetuesve, angazhimi i forcave RENEA vlerësohet rast pas rasti dhe nuk përbën një detyrim që zbatohet në çdo operacion policor. 

Gazetar: Ll. Saro 

/rtsh.al/ 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme