Papa Leoni XIV nis vizitën në Spanjë: Abuzimi seksual brenda Kishës Katolike, ende një plagë e hapur
Vizita shtetërore njëjavore e Leonit të XIV-të, e para e një pape në Spanjë që nga viti 2010, filloi me mbërritjen e tij në aeroportin e Madridit, ku u prit Mbreti Felipe VI, Mbretëresha Letizia dhe Kryeministri Pedro Sanchez.
70-vjeçari amerikan, i cili do të takohet me disa viktima të abuzimit seksual nga kleri katolik, u shpreh se çështja e abuzimeve brenda Kishës Katolike ishte ende një plagë e hapur.
Rreth 200 mijë të mitur vlerësohet se kanë vuajtur abuzime seksuale në Spanjë që nga viti 1940, sipas një raporti të vitit 2023 nga Avokati i Popullit në vendin iberik. Qeveria e majtë Pedro Sanchez dhe Kisha Katolike në Spanjë nënshkruan një marrëveshje në muajin mars për të kompensuar viktimat pas vitesh heshtjeje nga hierarkia e klerit.
Pas ceremonisë së lutjes së të shtunës, pranë stadiumit Santiago Bernabeu, të dielën, rreth një milion persona pritet të marrin pjesë në një Meshë në qendër të kryeqytetit Madrid.
Ditët në vijim, Leoni XIV do të mbajë një fjalim në parlamentin spanjoll dhe do të bekojë kullën e re të Bazilikës Sagrada Familia në Barcelonë, që tani është kisha më e lartë në botë.
Në Ishujt Kanarie të enjten dhe të premten, Leoni do të takohet me emigrantët dhe organizatat që i ndihmojnë ata dhe do t’i bashkohet kryeministrit spanjoll për të nderuar mijëra emigrantë që kanë humbur jetën duke u përpjekur të arrijnë në Evropë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




