“Tapeti i Kuq” në Festivalin e Pranverës, artistët rrëfejnë ndjesitë para ngjitjes në skenë
Tapeti i kuq i Festivalit të Pranverës solli emocionet e para të artistëve pjesëmarrës, pak çaste përpara se ata të ngjiteshin në skenën e rikthimit historik të festivalit pas dy dekadash mungesë. Nën moderimin e Migena Krajës dhe Andri Xhahut në RTSH 2, këngëtarët ndanë me publikun pritshmëritë, emocionet dhe historitë e tyre personale në një mbrëmje që shënon një moment të veçantë për muzikën shqiptare.
Mes buzëqeshjeve, emocioneve dhe atmosferës festive, Flavia Zere u shpreh se pjesëmarrja në këtë festival është një ndjesi e veçantë.
“Është një ndjesi shumë e bukur. Kemi shumë emocione dhe duam t’ia përcjellim publikut përmes këngës dhe ndjenjave tona”, tha ajo.
Edhe këngëtarja Martina Serreqi ka ndarë përshtypjet e saj të para pak përpara nisjes zyrtare të Festivalit të Pranverës.
“Kënga ime është pak e egër dhe ngjyra e zezë që kam veshur e shpreh këtë sa i përket veshjes. Në skenë, në prova kam qenë shumë mirë. Fati im i madh është se të gjithë që marrin pjesë në skenën e Festivalit i njoh”, tha ajo.
Edhe Nik Zaimi e cilësoi këtë mbrëmje si një sfidë dhe privilegj të madh.
“Sonte është një emocion i veçantë, pasi rikthimi i një festivali që mungon prej 23 vitesh sjell edhe përgjegjësi. Do të jap më të mirën time dhe shpresoj që publiku ta pëlqejë këngën time”, u shpreh ai.
Për Boni Hamzallari, pjesëmarrja në këtë edicion ka një domethënie të veçantë.
“Jam i emocionuar, por edhe shumë i lumtur. Ndihem i privilegjuar që jam pjesë e Festivalit të Pranverës, veçanërisht në këtë rikthim kaq të rëndësishëm”, tha këngëtari.
Në tapetin e kuq ishte i pranishëm edhe Alban Çuku, i cili debuton në një festival të madh muzikor me një këngë dashurie.
“Është hera e parë që performoj në një skenë të tillë. Jam shumë i lumtur që një ëndërr po bëhet realitet dhe shpresoj që publiku ta mirëpresë këngën time”, u shpreh ai.
Me emocione të forta u paraqit edhe Vesa Kelmendi, e cila e konsideron Festivalin e Pranverës si një pjesë të rëndësishme të kujtimeve të saj muzikore.
“Jam rritur me këngët e këtij festivali dhe ndihem e privilegjuar që jam pjesë e rikthimit të tij. Është një emocion shumë i madh për mua”, tha ajo.
Grupi “Akullthyesit”, pjesëmarrës për herë të tretë në këtë festival, u shpreh i lumtur për rikthimin e tij pas shumë vitesh, ndërsa prezantohet me këngën “Maratonomak”, një këngë që përcjell mesazhin e këmbënguljes për të arritur qëllimet.
“Kemi marrë pjesë tre herë në festivalin e pranverës. U gëzuam që rifilloi edhe një herë dhe ne aplikuam. Kënga jonë quhet “Maratonomak” si ai që rend për të arritur qëllimin e vet. Të jesh pjesë akullthyesve është krenari sepse është muzikë rok ndër breza”, thanë ata.
Edhe këngëtarja Herva Novaku e cilësoi privilegj pjesëmarrjen në edicionin e rikthimit të Festivalit të Pranverës.
“Duke qenë se është rikthyer pas shumë vitesh është nder që marr pjesë në rinisje të tij. Më shoqëron familja e gjitha dhe më mbështet. Publiku dua që ta shijojë këtë festival”, tha ajo.
Mes artistëve që ndanë emocionet e tyre para performancës ishte edhe Xhon Jesku, i cili u shpreh optimist për rrugëtimin e tij në festival.
Ai tha se ka shijuar çdo moment të provave me orkestrën dhe bendin e RTSH-së, ndërsa shpreson që performanca e tij ta çojë në finalen e madhe.
Emocione pozitive përcolli edhe Drina Shehu, e cila tha se është ndjerë shumë mirë gjatë përgatitjeve, pavarësisht emocioneve që shoqërojnë një skenë kaq të rëndësishme. Artistja vjen në festival me këngën “Dashni e Vjetër”, një këngë që, sipas saj, i dedikohet të gjithë atyre që gjejnë veten në historitë dhe ndjenjat që ajo përcjell.
Alegara Jaho u shpreh se kjo është hera e parë që merr pjesë në një festival kombëtar, duke e cilësuar një ndjesi të veçantë të performosh për publikun vendas pas eksperiencave ndërkombëtare.
“Është ndjesi e veçantë të duartrokitesh në vendin tënd,” tha ajo.
Grupi “Peter Pan Quartet” vlerësoi rikthimin e festivalit, duke e konsideruar pjesëmarrjen një pjesë të rëndësishme të historisë së tij.
Enxhi Kumrija u shpreh se kënga e saj përcjell mesazhin e pastërtisë në një lidhje, ndërsa Erand Sojli deklaroi se synimi i tij është të kënaqë publikun, duke e konsideruar pranimin në festival një arritje të madhe në një garë të fortë.
Edhe Kejsi Jazxhi u shpreh e emocionuar dhe e vendosur për performancën e saj në skenë. Edhe këngëtari Voltan Prodani u shpreh se është nder dhe privilegj që është rikthyer në këtë festival.
Tapeti i kuq i Festivalit të Pranverës solli kështu jo vetëm elegancë dhe atmosferë festive, por edhe emocionet e artistëve që presin të fitojnë zemrat e publikut në natën e madhe të muzikës shqiptare.
Festivali i Pranverës rikthehet jo vetëm si një garë muzikore, por si një projekt që synon të ringjallë një traditë të dashur për publikun shqiptar.
Për dy net me radhë, muzika, emocionet dhe spektakli do të bashkohen në një skenë të vetme, duke shënuar një kapitull të ri për një festival që dikur ishte ndër ngjarjet më të rëndësishme artistike në vend.
Transmetimi do të vijë drejtpërdrejt në RTSH 1 HD, RTSH Muzikë, Radio Tirana dhe në kanalin zyrtar të RTSH-së në YouTube.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





















