Flet nëna e vrasësit të policit: Isha aty, më vjen shumë keq, të kishte vdekur edhe djali im
Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi mëngjesin e 4 qershorit në Lozhan të Maliqit, ku u vra efektivi i policisë, Enea Mekolli, dhe u plagos kolegu i tij, Edison Adri, për herë të parë ka folur nëna e Violand Braçellarit e cila ka treguar versionin e saj të ngjarjes. Në një intervistë për mediat Berdane Braçellari fillimisht ka shprehur keqardhjen e saj për humbjen e jetës së efektivit të policisë
“Më vjen shumë keq, edhe djali im të kishte vdekur. Nuk ka faj as djali im as polici. Se dhe polici i urdhëruar është. Ai të bënte këtë gjë, të thoshte: ‘Ndal”. Nuk do ishte situata e këtillë”, u shpreh Berdane Braçellari.
Ajo ka dhënë dhe një mesazh për familjen e policit të rënë në krye të detyrës.
“Më vjen shumë keq, zëre sikur me vdiq djali im. Me vjen keq e për të, as nuk i njoh, as nënën as babanë, as djalin. Jam me ata. Me dhimbset e ai djalë. Nuk e njoh e nuk me njeh. Detyra e tij“, tha nëna e autorit.
E pyetur nga gazetarët lidhur me ngjarjen, Berdane Bracellari thotë se ishte e pranishme në momentin e ngjarjes dhe sipas saj polici ka qëlluar i pari, ndërsa pretendoi se efektivët nuk janë identifikuar dhe nuk kanë bërë thirrje për dorëzim.
“Kam qenë që në fillim, hyra në stallë si gjithmonë, në krahun matanë hyra vet, në anën tjetër hyn djali. Djali asnjëherë nuk më futej në punë, thjesht me ikën dy punëtorë dhe erdhi. Kisha një parandjenjë se përherë kemi qenë duke u mbrojtur për shkak të policisë. Erdhi policia, i thashë; “Djalë, erdhën”. Djali qenka hedhur dritarja e viçave, aty ishte polici. Del lart djali, i bie polici“, tha ajo.
Gruaja mohoi se ka qëlluar djali i saj i pari. “Polici i ra me parë, pastaj qëlloi djali im. Policia nuk tha as dorëzohuni, as që ishin polic. Violandi ishte fshehur në cep dhe kaloi lart“, u shpreh nëna.
Nëna e autorit tha se i biri nuk kishte kultivuar asnjëherë hashash dhe se kanë punuar në ndërtim në Vlorë. Ajo pohoi se është përpjekur disa herë ta bindë të birin të dorëzohej por sipas saj ai e konsideronte të tepruar këtë dënim për dy gramë hashash.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




