Përshkallëzohet dhuna në Irlandën e Veriut, protestues të maskuar sulmojnë Belfastin, digjen shtëpi e automjete

Belfasti është zhytur në kaos dhe dhunë pas një sulmi të rëndë me thikë, ku një burrë sudanez dyshohet se plagosi rëndë një 40-vjeçar, i cili u dërgua në spital në gjendje serioze. Ngjarja ka nxitur protesta dhe trazira të përhapura në kryeqytetin e Irlandës së Veriut, të cilat gjatë natës u përshkallëzuan në sulme ndaj shtëpive dhe bizneseve të emigrantëve.
Protestuesit dolën në rrugë duke bllokuar akset kryesore dhe duke i vënë flakën automjeteve, ndërsa situata u tensionua më tej kur grupe të dhunshme nisën sulme ndaj pronave private. Sipas raportimeve, disa shtëpi dhe dyqane u dogjën, ndërsa makina patrullimi dhe automjete të tjera u përfshinë nga flakët. Ekipet e zjarrfikësve u angazhuan në disa zona të qytetit për të shuar zjarret e shkaktuara nga zjarrvëniet e qëllimshme. Në të njëjtën kohë, ambulancat u dërguan në pika të ndryshme të Belfastit për t’iu përgjigjur incidenteve dhe për të ndihmuar personat e prekur nga dhuna.
Mes objekteve të sulmuara ishte edhe një berberhane turke, ku protestuesit thyen derën hyrëse dhe dritaret e lokalit. Kryeministrja e Irlandës së Veriut, Michelle O’Neill, dënoi fuqishëm ngjarjet, duke i cilësuar ato si një frikacakëri të neveritshme. O’Neill shtoi se sulmi ishte i urryer dhe i gabuar, dhe paralajmëroi për përpjekjet e rrezikshme për të shfrytëzuar incidentin, duke sulmuar njerëz të pafajshëm që thjesht përpiqen të jetojnë dhe të rrisin familjet e tyre në Irlandën e Veriut.
“Grupe burrash të maskuar që djegin familjet nga shtëpitë e tyre nuk është asgjë më pak se një frikacakëri e neveritshme. Kjo nuk ka të bëjë fare me komunitetin. Kjo është një sjellje bandite e hapur. Racizmi, frikësimi dhe dhuna janë të gabuara kudo që ndodhin. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për këto sulme. Askush nuk dëshiron ta shohë këtë në rrugët tona dhe unë përsëri bëj thirrje për qetësi”, theksoi ajo.
Ndërkohë, Ministrja e Drejtësisë e Irlandës së Veriut, Naomi Long, dënoi ashpër trazirat dhe personat që po shkaktojnë dëme në qytet.
“Nuk ka vend për banditë të maskuar që dalin në rrugë dhe kërcënojnë, frikësojnë dhe shkaktojnë dëme të panevojshme. Është e pandershme të pretendohet se kjo po bëhet për të mirën e Irlandës së Veriut. Këto nuk janë veprime të njerëzve që vërtet kujdesen për komunitetet e tyre”, tha Long. Një këshilltar bashkiak nga Partia Aleanca tha se sulmet nuk përfaqësojnë komunitetin lokal. “Ky është komuniteti ynë. Dhuna nuk ka vend këtu. Nuk ka asnjë justifikim për dhunën. Ata që janë përgjegjës për këto akte duhet të ndalen menjëherë dhe të lejojnë që paqja të kthehet në rrugët tona”, deklaroi ajo.
Shqetësime të mëdha janë ngritur edhe për natyrën e sulmeve, të cilat duket se kanë pasur në shënjestër komunitetet e emigrantëve dhe personat me ngjyrë.
Autoritetet kanë bërë thirrje të përsëritura për qetësi, ndërsa policia vazhdon hetimet për sulmin me thikë dhe për incidentet e dhunshme që kanë përfshirë qytetin gjatë ditëve të fundit. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e rendit janë vendosur në disa zona për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të trazirave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




