Mrekullitë e Kallabakut, banorët apelojnë turistët të ruajnë këtë mrekulli të natyrës
Jo më kot e kanë emërtuar Narcissus poeticus, lulja e poetit. Ajo rritet dhe vegjeton vetëm në këtë lëndinë, në zemër të pllajave të Novosejt. Thuhet se nuk duron asnjë bimë apo lule tjetër rreth vetes, ndaj edhe është emërtuar narcis. Fundi i majit dhe fillimi i qershorit janë periudha e lulëzimit të saj, ndaj edhe vizitorët janë më të shumtë gjatë kësaj kohe.
Qazim Gjuta, njëri prej banorëve të kësaj ane, është larguar prej vitesh për të jetuar në Tiranë, por kthehet shpesh në vendlindje. Ai thotë se kjo mrekulli është një dhuratë e natyrës.
Ashtu si çdo banor tjetër, edhe Qazimi e do vendlindjen e tij. Sipas tij, kjo marrëdhënie është e ndërsjellë.
Kjo zonë, që përfshin pllajat e Novosejt, liqenin e Kallabakut, Shtegun e Ngjyrave etj., tashmë ka hyrë në hartën e guidave turistike dhe paraqet një perspektivë të mirë zhvillimi. Për këtë arsye, Qazimi thotë se shumë shpejt mund të rikthehen edhe banorët e dikurshëm.
Agim Noka prej vitesh drejton shoqatën për mbrojtjen e pyjeve dhe kullotave. Ai thotë se pas vitit 2000, lëndina me Lulen e Poetit është zgjeruar ndjeshëm.
Vizitorët janë të shumtë, por Agimi apelon për më shumë përkujdesje në mënyrë që kjo natyrë e mrekullueshme të ruhet dhe të mirëmbahet. Sipas tij, shumë vizitorë lënë pas mbetje, të cilat jo vetëm ndotin mjedisin, por krijojnë edhe një imazh tejet negativ për zonën.
Vetëm pak ditë më parë, Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim me vullnetarë dhe nxënës shkollash, organizoi një fushatë pastrimi dhe sensibilizimi në këtë zonë.
Gazetar: B. Muçmata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




