Tre marinarë indianë humbin jetën në një sulm amerikan pranë Omanit

Botë | 5 muaj më parë

Tre marinarë indianë kanë humbur jetën pas një sulmi të ushtrisë amerikane ndaj një cisterne nafte në Gjirin e Omanit, duke shkaktuar reagime të forta nga qeveria indiane dhe duke rritur më tej tensionet në rajon mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Sipas autoriteteve indiane, viktimat ndodheshin në bordin e cisternës së naftës “Settebello”, me flamur të Palaut, e cila u godit të mërkurën nga forcat amerikane. Ministri indian i Transportit, Sarbananda Sonowal, e cilësoi ngjarjen si “thellësisht tragjike” dhe një “humbje të pariparueshme” për familjet e marinarëve dhe vendin.

Në bordin e anijes ndodheshin 24 marinarë indianë. Sipas autoriteteve, 21 prej tyre u shpëtuan pas incidentit.

Komanda Qendrore Amerikane deklaroi se kishte ndërmarrë veprime kundër cisternës pasi ajo dyshohej se po transportonte naftë iraniane në kundërshtim me bllokadën amerikane në rajon.

Sipas ushtrisë amerikane, ekuipazhi i anijes kishte refuzuar vazhdimisht të zbatonte udhëzimet e forcave amerikane, çka çoi në goditjen e dhomës së motorit të cisternës për ta neutralizuar atë.

“Settebello” po kalonte tranzit në Gjirin e Omanit kur u krye sulmi.

Pas konfirmimit të viktimave, Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë thirri zëvendësshefin e misionit të ambasadës amerikane në Nju Delhi, Jason Meeks, për të paraqitur një notw proteste ndaj incidentit.

Autoritetet indiane kërkuan sqarime lidhur me rrethanat e sulmit, ndërsa ministri Sonowal deklaroi se trupat e marinarëve do të riatdhesohen sa më shpejt të jetë e mundur.

Ngjarja ndodh në një moment kur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm. Për të dytën ditë radhazi, të dyja palët kanë shkëmbyer sulme ndaj objektivave ushtarake.

SHBA ka njoftuar se ka goditur pozicione ushtarake, sisteme radarësh dhe objekte mbikëqyrjeje në jug të Iranit. Nga ana tjetër, Teherani është kundërpërgjigjur me sulme ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon, përfshirë objektiva në Bahrein dhe Kuvajt.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme